Tiranë, 20 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama komentoi Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi Ndryshe 2026-2030, duke njoftuar një masë të re mbështetëse për familjet që kujdesen për fëmijët me aftësi të veçanta.
Sipas kryeministrit, kjo masë synon të mbështesë ata prindër që nuk kanë mundësi të punojnë për shkak të përkushtimit ndaj kujdesit të fëmijëve të tyre.
“Janë 11 mijë fëmijë dhe të rinj që do të përfitojnë nga kjo masë. Përtej kësaj, kemi marrë një masë tjetër për kujdestarët, sepse një nënë që i përkushtohet një fëmije me aftësi të veçanta e ka të pamundur të shkojë rregullisht në punë dhe, duke qenë se nuk shkon në punë, përballet me mungesën e sigurimeve shoqërore.
Ne vendosëm po ashtu që buxheti i shtetit t’u paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për nënat dhe kujdestarët, njësoj sikur të ishin në punë.
I them jo se janë për t’u duartrokitur, por sepse është e rëndësishme ta kuptojnë të gjithë që s’jemi larg realitetit, të pavëmendshëm ndaj kërkesave që vijnë nga grupet shoqërore.
Sot kemi një sistem më të besueshëm, sipas meje, të mbrojtjes shoqërore. Një sistem shumë më të besueshëm. Dua të falënderoj drejtoreshën, që është një person i përkushtuar. Nuk e ka humbur atë që është kryesorja në këtë punë: lidhjen e afërt me njerëzit, që vjen vetëm nga pasioni dhe dëshira.
Natyrisht që, siç thotë fjala, “oreksi vjen duke ngrënë”. Çfarë arrihet bëhet e shkuar dhe e ardhmja nuk është funksion i së shkuarës. Na duhet e shkuara, sepse na kujton se nga ku jemi nisur.
Jetojmë në një kohë ku nuk mjafton më të thuash: “O, ku ishim”. Njerëzit, në këtë fazë, kanë pritshmëri dhe ballafaqohen me to“, shprehet Rama.

