Tiranë, 01 tetor, argument.mk/ – Kryeministri Rama mikpriti një ditë më parë në një ceremoni zyrtare Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila nisi nga Tirana turin në vendet e rajonit.
Në rrjetet sociale, Rama publikoi momente nga pritja e Ursula von der Leyen si dhe mesazhet kyçe të përcjella gjatë konferencës së përbashkët për mediet.
“Ursula, është kënaqësi e veçantë që përsëri je në Tiranë dhe duke qenë se jemi në një jetë e bazuar në merita tani ke të gjitha meritat për të marrë fjalën dhe për t’iu drejtuar publikut”, u shpreh Rama duke i dhënë fjalën presidentes së KE-së.
“Faleminderit shumë Edi! Vërtetë është kënaqësi e madhe të rikthehem në Tiranë dhe përvoja ime është e tillë që shqiptarët e mbajnë Europën në zemër”, tha ajo në nisje të deklaratës për mediet nga Tirana.
Presidentja e KE-së nënvizoi se: “ju në Shqipëri keni punuar fort për ta kthyer ëndrrën europiane të Shqipërisë në realitet. Mendoj se objektivi duket në horizont. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të anëtarësimit. Shqipëria sërish ka bërë një ecuri mbresëlënëse. Anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por do ta bëjë Bashkimin Europian më të fortë”.
Kryeministri Rama deklaroi se: “përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve së shpejti, konkretisht para fundit të këtij viti dhe pastaj për të vazhduar vitin e ardhshëm intensivisht, me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve tanimë të hapur”.
Rama bëri me dije detaje nga takimi me Ursula von der Leyen. “Kemi folur edhe për bilancin e përpjekjes madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është një pikë e palëvizshme e agjendës sonë dhe e agjendës së BE në tërësi, po për vendet kandidate në veçanti dhe kemi bashkërisht, konstatuar me kënaqësi faktin që tanimë është shumë e qartë për Shqipërinë se nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”.
“Mesazhi im i fundit është ky: Ju po përgatiteni në Shqipëri, por edhe ne po përgatitemi pasi zgjerimi është një proces me dy kahe. Dhe BE duhet të jetë gati që të mirëpres anëtarët e rinj”, përfundoi presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

