Shkup, 29 tetor – Në zhvillime të fundit, Fakulteti i Shkencave Islame-Shkup ka pësuar një transformim të thellë dhe të papritur, i cili ka ngritur shqetësime të mëdha për drejtimin e tij të ardhshëm dhe pavarësinë akademike të institucionit. është krijuar bindje se Shaqir Fetahu, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, po ndërmerr hapa të fuqishëm për të vendosur kontrollin e tij të plotë në Fakultet, me një ndërhyrje që ka shkaktuar reagime nga studentët, stafi akademik dhe ata që kanë qenë prej kohësh të lidhur me këtë institucion me prestigj.
Ndërsa Fakulteti i Shkencave Islame-Shkup ka nevojë për udhëheqës që të mishërojnë frymën e shkencës, inovacionit dhe lirisë akademike, emërimi i Prof. Hasan Xhillos si u.d. dekan duket se ka krijuar një situatë të kundërt. Informacione të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal nga burime të brendshme tregojnë se Prof. Xhillo nuk përmbush kriteret e nevojshme për të drejtuar një institucion të tillë. Siç kanë raportuar studentët dhe disa nga të punësuarit e Fakultetit, “Prof. Xhillo jo vetëm që ka vështirësi të dëgjojë mirë, por gjithashtu nuk ka treguar shenja të kreativitetit apo inovacionit në ligjëratat e tij, të cilat shpesh përmenden si të paangazhuara dhe pa frymëzim. Me sa duket, roli i tij nuk është i lidhur me drejtimin dhe zhvillimin e institucionit, por përmbushjen e urdhrave të Shaqir Fetahut, i cili, sipas raportimeve, synon të ushtrojë ndikimin e tij personal përmes një përfaqësuesi të bindur dhe pa asnjë lloj autonomi”.
Shenjat e para të kësaj ndërhyrjeje të paprecedent janë shfaqur që në ditën e parë të ndryshimit të drejtimit. Si; thonë të punësuarit, vetura zyrtare e Fakultetit, që duhej të ishte në shërbim të përditshëm të fakultetit dhe nevojave institucionale, nuk është më e disponueshme për këto qëllime, por është vënë në dispozicion të Shaqir Fetahut. Ky akt, për shumë njerëz, është një shkelje e hapur e etikës institucionale dhe simbol i qasjes së re të kontrollit të pashpjeguar mbi asetet e Fakultetit. Kjo lëvizje tregon për një qëndrim despotik, që për shumë njerëz është simbol i vendosjes së pushtetit personal përtej interesit publik dhe të drejtës për transparencë.
“Në këtë plan të kontrollit të plotë mbi Fakultetin, Shaqir Fetahu ka mbështetjen e disa figurave kyçe, dhe ndër ta, Prof. Jusuf Mustafai është një nga mbështetësit më të afërt. Mustafai është një personalitet kontravers në rrethin akademik dhe religjioz, dhe për shkak të moralit, qëndrimeve dhe ndikimit të tij, ai ka qenë shpesh objekt i kritikave. Megjithatë, ndonëse ka pasur qëndrime që janë përplasur me interesat dhe vlerat e komunitetit, ai vazhdon të qëndrojë besnik ndaj Shaqir Fetahut. Një shembull konkret i shpërblimit të tij për këtë lojalitet është mundësia për të kryer edhe për të dytë herë haxhin që realizoi këtë vit, një shenjë e vlerësimit nga ana e Fetahut për besnikërinë e tij të pakompromis.
Në këtë rrjedhë ngjarjesh, edhe Prof. Qufli Osmani, një figurë vie nga Universitetin Shtetëror i Tetovës, është përfshirë në planin për të rritur kontrollin mbi Fakultetin e Shkencave Islame. Prof. Osmani është një personalitet i diskutueshëm, pasi ka pasur një precedent penal, çka për shumë njerëz është një shkelje e rëndë e standardeve të përfaqësimit në institucionet akademike. Për më tepër, prof. Osmani ka qenë një figurë kyçe në procesin e akreditimit të shkollës fetare islame dhe është njohur për ndikimin e tij në ndërprerjen e aktivitetit të Medresesë Isa Beu – Shkup, një institucion i rëndësishëm me dekada të tëra aktivitet (pothuaja se katër dekada të plota). Me idetë dhe propozimet e tij, shkolla e mesme e Medresesë është kthyer në një institucion të thjeshtë gjimnazial, duke i hequr asaj karakterin fetar që e kishte dalluar ndër vite. Ky ndikim i Osmanit, të cilit Shaqir Fetahu po i beson përgjegjësi të reja në Fakultet, shihet si përpjekje për të shtrirë më tej pushtetin e tij personal dhe dyshohet për përforcimin e lidhjeve të tij politike dhe ideologjike të BDI në strukturat akademike dhe fetare”, thonë nga FSHI.
Sipas tyre, nuk mund të lihet pra pa u përmendur edhe “ndikimi politik që Bashkimi Demokratik për Integrim duket se ka në këtë plan”.
“Figura si prof. Qufli Osmani janë të lidhura ngushtë me këtë strukturë politike, dhe përfshirja e tij shihet si një strategji e Fetahut për të përfituar nga mbështetja e BDI-së në instalimin e një sistemi që i shërben interesave të tij. Kjo përforcon mendimin se ndërhyrja e Shaqir Fetahut në Fakultet nuk është thjesht një veprim për të përmirësuar standardet e tij, por për të realizuar një plan të plotë për kontroll të institucioneve fetare dhe akademike. Në këtë situatë të ngarkuar, Shaqir Fetahu ka siguruar që besnikët e tij më të afërt i ka shpërblyer me kryerjen e haxhit këtë vit. Kjo përfshin jo vetëm Jusuf Mustafain, por edhe djalin e tij, Semit Fetahu. Ky shpërblim me haxh, një nga veprat më të nderuara në Islam, shfaqet si një mënyrë për të thelluar lidhjet me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe për të krijuar një rrjet të ngushtë individësh të besueshëm, që do të përmbushin urdhrat e tij pa asnjë lloj kompromisi”, shprehen të bindur të punësuar nga .
Zhurnal gjatë ditës pret që lidhur me këto informacione të dërguara nga të punësuar, të deklarohen edhe zyrtarisht FSHI dhe BFI. Në të kundërtënn, opinioni do të krijon bindje të plotë se informatat për keqpërdorime janë thellësisht të vërteta./Zhurnal