Shkup, 5 prill, argument.mk/ – Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi sot një paketë masash urgjente për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë, si pasojë e krizës globale dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një fjalim drejtuar qytetarëve, ai theksoi se Qeveria nuk do të presë përkeqësimin e situatës, por po vepron në mënyrë proaktive për të mbrojtur standardin e jetesës.
Sipas vendimeve të miratuara në seancën e sotme të jashtëzakonshme, TVSH-ja për karburantet do të mbetet e ulur nga 18% në 10% deri në fund të gjendjes së krizës, e paraparë rreth datës 20 prill. Po ashtu, akciza për dizelin ulet për 4 denarë për litër, ndërsa benzina pa plumb 95 dhe 98 do të ulen për 2 denarë për litër, transmeton argument.mk/.
Masat përfshijnë edhe zbritje shtesë, të arritura pas marrëveshjes me kompaninë OKTA, të cilat do të vlejnë deri në fund të muajit prill. Sipas kësaj marrëveshjeje, dizeli do të jetë më i lirë për 3 denarë për litër, ndërsa benzina për 2 denarë për litër.
Kryeministri theksoi se këto ndërhyrje pritet të amortizojnë rritjen e mundshme të çmimeve dhe në disa raste të sjellin edhe ulje krahasuar me javën e kaluar.
Ai bëri të ditur se konsumi i karburanteve ka arritur nivele rekord, rreth 2 milionë litra në ditë, si rezultat i rritjes së kërkesës, përfshirë edhe qytetarë nga vendet fqinje.
Nga Qeveria sigurojnë se nuk ka mungesë furnizimi dhe se nuk priten masa kufizuese.
“Qëllimi ynë është i qartë – stabilitet, siguri dhe mbrojtje e standardit të qytetarëve,” deklaroi Mickoski, duke shtuar se institucionet po e monitorojnë nga afër situatën dhe janë të gatshme të ndërmarrin masa të reja nëse paraqitet nevoja.

