E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u takua sot me kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe me disa prokurorë që janë pjesë e këtij institucioni.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së njoftoi se “VanHorn vlerësoi bashkëpunimin e SPAK në luftën e Shteteve të Bashkuara kundër krimit ndërkombëtar, trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm”.
VanHorn gjithashtu “falënderoi Dumani për guximin dhe angazhimin e SPAK në shkatërrimin e rrjeteve kriminale që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”.

