By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Argument-MKArgument-MK
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Reading: “Jemi gati të vetmuar përballë represionit serb – këto janë 5 kërkesat tona për Prishtinën dhe Tiranën”
Share
Notification Show More
Font ResizerAa
Font ResizerAa
Argument-MKArgument-MK
  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Follow US
  • Advertise
© 2022 Foxiz News Network. Ruby Design Company. All Rights Reserved.
Argument-MK > Blog > Maqedoni > “Jemi gati të vetmuar përballë represionit serb – këto janë 5 kërkesat tona për Prishtinën dhe Tiranën”
Maqedoni

“Jemi gati të vetmuar përballë represionit serb – këto janë 5 kërkesat tona për Prishtinën dhe Tiranën”

admin
Last updated: 10/07/2025 09:58
By admin 15 Min Read
Share
SHARE

Deputeti i Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se nuk beson në demokratizim të Serbisë derisa ajo nuk e njeh dhe pranon të kaluarën e vet të dhunshme dhe nuk heq dorë nga ambiciet imperialiste. “26 vjet pas konfliktit, jemi gati të vetmuar dhe po përballemi me kapacitetet diskriminuese të shtetit serb”, thotë ai në një bisedë të gjerë mbi zhvillimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kamberi po ashtu ka 5 kërkesa për qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë.

Pyetje: Duket se protestat kundër regjimit në Serbi po kalojnë në një fazë të re, represive. Cili është parashikimi juaj për epilogun e kësaj lëvizjeje që nisi më 1 nëntor të vitit të kaluar?

Shaip Kamberi: Protestat në Serbi po hyjnë në një fazë represive, me rritjen e dhunës dhe arrestimeve nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit. Regjimi i tij është autoritar dhe nuk toleron opozitë. Epilogu varet nga presioni i shoqërisë civile dhe faktorit ndërkombëtar. Dinamika e krizës flet për nevojën e ndërtimit të konsenzusit politik për dalje nga kriza, por për momentin nuk jam optimist për ndryshime të shpejta pa ndërhyrje të jashtme. Bashkimi Evropian duket se po bën sehir dhe po pret në vend që të imponohet si akter i lojës për të tentuar të orientoje përfundimisht Serbinë drejt Perëndimit.

Pyetje: A janë shqiptarët në Serbi në ndonjë formë të kyçur në këto protesta? Shumë studentë boshnjakë nga Sanxhaku janë pjesë e protestave.

Shaip Kamberi: Shqiptarët nuk janë të përfshirë në mënyrë të organizuar në protestat në Serbi. Kjo ndodh për shkak të mosbesimit ndaj institucioneve shtetërore dhe përjashtimit sistematik të tyre nga jeta publike që na ka imponuar regjimi. Ndryshe nga studentët boshnjakë, shqiptarët nuk ndihen pjesë e shtetit serb, sepse shqiptaret, për dekada me radhë, konsiderohen armiq numër një të shtetit dhe ashtu edhe trajtohen. Në këtë ambient toksik antishqiptar, rreshtimi ynë në anën e studentëve do t’i shërbente Vuçiqit t’i anatemojë edhe më tepër shqiptarët.

Në anën tjetër lëvizja studentore akoma nuk e ka publikuar platformën e vet politike sidomos për disa tema të rëndësishme që drejtpërdrejt do të ndikojnë për Serbinë e të nesërmes: Raporti ndaj krimeve të luftës dhe kriminelëve të saj, raporti ndaj Kosovës, çështja e pakicave – të gjitha këto për ne paraqesin çështje ekzistenciale. Sepse nuk besoj në demokratizim të Serbisë derisa ajo nuk e njeh dhe pranon të kaluarën e vet të dhunshme, derisa nuk heq dorë nga ambiciet imperialiste dhe derisa nuk i pranon pakicat si qytetarë të barabartë.

Pyetje: A ka ndryshuar qasja e regjimit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës që nga fillimi i lëvizjes protestuese?

Shaip Kamberi: Qasja e regjimit serb ndaj shqiptarëve nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, praktikat diskriminuese si pasivizimi i adresave janë intensifikuar. Shqiptarët vazhdojnë të mbahen të nënpërfaqësuar, trajtohen si “të padëshiruar”, si faktorë destabilizues, pavarësisht zhvillimeve në pjesën tjetër të Serbisë.

Pyetje: Në cilat fusha është më i theksuar diskriminimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

- Advertisement -
Ad imageAd image

Shaip Kamberi: Diskriminimi është më i dukshëm në punësim në institucionet publike, arsim dhe mosnjohje të diplomave, pastaj në infrastrukturë dhe investime publike, në përdorimin e gjuhës shqipe në administratë dhe përdorimin e simboleve kombëtare. Krejt kjo po ndodh përkundër faktit që kemi tri marrëveshje të nënshkruara me qeverinë qendrore për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Pyetje: A mund të flitet për një spastrim burokratik etnik të shqiptarëve të Bujanocit, Medvegjës dhe Preshevës?

Shaip Kamberi: Po, natyrisht. Mund të flitet për një spastrim etnik të heshtur të cilin po e bën Serbia duke krijuar ambient të pasigurisë, mungesë perspektive ekonomike, mosnjohje të diplomave dhe me pasivizim. Pasivizimi i adresave po përdoret si metodë administrative për të zvogëluar numrin e shqiptarëve në regjistrat zyrtarë dhe për t’i përjashtuar nga e drejta për të votuar dhe për përfitime sociale. Nëpërmjet pasivizimit po tentohet të ndikohet në strukturen etnike të komunave tona.

- Advertisement -
Ad imageAd image

Pyetje: Si bëhet kjo konkretisht?

Shaip Kamberi: Institucionet serbe shpallin adresat si “joaktive” në mënyrë arbitrare, pa njoftim paraprak dhe pa hetim real. Shkalla e pasivizimit te shqiptarët është shumëfish me e lartë se praktika nëpër komunat me shumicë serbe. Kjo ndodh kryesisht me shqiptarët që jetojnë në diasporë apo udhëtojnë shpesh, ndërkohë që kjo praktikë nuk zbatohet ndaj komuniteteve të tjera në Serbi.

Pyetje: Përkundër marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit për pranimin e ndërsjellë të diplomave, kjo nuk po respektohet nga autoritetet serbe. Pse?

Shaip Kamberi: Serbia refuzon të njohë diplomat nga Kosova, duke u arsyetuar me mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës. Kjo është hipokrizi, pasi lejon qarkullimin e automjeteve me targa të Kosovës. Qëllimi është të bllokohet çdo integrim i shqiptarëve në tregun e punës në Serbi. Në anën tjetër, Kosova njeh diplomat e universitetit që funksionon në Mitrovicën e Veriut. Pra, padrejtësisht, Serbia, diskriminon të rinjtë tanë që shpëtimin e gjejnë në emigrim në vendet e BE-së ndërkohë që dhe ndërkombëtarët e heshtin këtë. Serbia përdorë secilin mekanzim për të vështirësuar jetën e shqiptarëve këtu, duke tentuar të ndryshojë strukturën etnike dhe shpopulluar Luginen e Preshevës nga shqiptarët.

Pyetje: Sa keni arritur t’i njoftoni ambasadat e shteteve me ndikim në Beograd mbi problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe cilat kanë qenë reagimet e tyre deri më tani?

Shaip Kamberi: Kam ngritur vazhdimisht shqetësimet e shqiptarëve te ambasadat e huaja. Disa prej tyre kanë treguar interes dhe kanë bërë vëzhgime në terren, por reagimet publike kanë qenë të kujdesshme, shpesh për të mos acaruar marrëdhëniet me Beogradin. Temën e Luginës së Preshevës e kanë lënë për të ardhmen, tani po merren me “probleme më të mëdha”.

Pyetje: A e keni edhe ju përshtypjen se pakica serbe në Kosovë nga akterët ndërkombëtarë trajtohet me kujdes shumë më të madh se sa pakica shqiptare në Serbi? A mund të flitët për pakica të “klasit të parë” dhe të “klasit të dytë”?

Shaip Kamberi: Po, është e qartë që serbët në Kosovë trajtohen si pakicë e “klasit të parë”, me vëmendje të veçantë ndërkombëtare, ndërsa shqiptarët në Serbi shpërfillen. Kjo tregon standarde të dyfishta dhe mungesë reciprociteti në trajtimin e pakicave. Kjo është në kundërshtim me standardet universale që mbrojnë të drejtat e pakicave. Ato duhet të jene unike në çdo vend, për çdo situatë dhe për cilëndo pakicë. Në këtë drejtim, duke lejuar standarde të dyfishta, vetëm po krijohet bazë për konfliktet e ardhshme në këto hapësira.

Pyetje: Një problem i madh, siç e cekët, mbetet pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Cilat janë pasojat e dukshme të kësaj mase burokratike dhe represive?

Shaip Kamberi: Pasivizimi sjell pasoja të rënda: Humbje të drejtës për votim, humbje e përfitimeve sociale dhe sigurimeve, pamundësi për të regjistruar prona ose për të ushtruar të drejta ligjore, nxitje drejt emigrimit. Pasoja kryesore qëndron në tentativën antiligjore për të ndryshuar strukturën etnike të këtyre komunave, proces ky që e ndalon edhe vet Kushtetuta e Serbisë.

Pyetje: Për fat të keq, si nga politikanët në Prishtinë ashtu edhe nga ata në Tiranë ka tendenca për të instrumentalizuar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës. A duhet të ndryshojë kjo qasje?

Shaip Kamberi: Jemi munduar të mos lejojmë raste të tilla. Për ne është me rëndësi përkrahja institucionale dhe afatgjatë që duhet të vijë edhe nga Republika e Kosovës edhe nga Republika e Shqipërise. 26 vjet pas konfliktit, jemi gati të vetmuar dhe po përballemi me kapacitetet diskriminuese të shtetit serb. Është vështirë ta përballojmë gjithë këtë të vetmuar, pa ndihmë të mirëorganizuar nga të dy shtetet.

Pyetje: Kur dolën në sipërfaqë idetë për “korrigjimin e kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë, shpesh nga përkrahësit e këtij “projekti” përhapej propaganda se zgjidhja do të ishte e thjeshtë: Kosova jep një pjesë të veriut dhe merr Luginën e Preshevës. Në dijeninë tuaj, sa konkrete kanë qënë këto plane dhe sa realiste?

Shaip Kamberi: Sa di unë nuk ka pasur plane të detajuara, por disa qarqe kanë promovuar idenë. Ndoshta kjo ishte më shumë një manovër politike sesa një projekt i realizueshëm. Duhet të them se ne kemi Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për “Autonomi politiko territoriale me të drejtë bashkimi me Kosoven”, prandaj edhe kërkesa jonë sot është për reciprocitet. Në rrethanat kur për 35 vjet të veprimit të pavarur politik nuk u zgjidhën problemet në rrugë institucionale, ishte e natyrshme që ideja të dukej shpresëdhënëse, edhe pse në vete ka bartur rrezikun e copëtimit të Luginës së Preshevës, që do të shkaktonte tragjedi të reja.

Pyetje: Në retrospektivë, a e ndiejnë veten shqiptarët e Luginës së Preshevës të manipuluar në debatet për “korrigjim të kufijve”?

Shaip Kamberi: U krijuan pritshmëri që nuk u realizuan dhe – siç ndodh zakonisht – kur ka pritshmëri të mëdha, edhe zhgënjimi është i madh.

Pyetje: Qeveria aktuale në Prishtinë vazhdimisht njofton se ka ndarë kaq e kaq mjete për Luginën e Preshevës. A zgjidhen problemet vetëm me para apo mos duhet një strategji më konkrete?

Shaip Kamberi: Është hera e parë që kjo qeveri ka futur si linjë të veçantë buxhetore ndihmën për Luginen e Preshevës. Po ndihmohen shumë veprimtari. Megjithatë, paratë ndihmojnë, por nuk po i zgjidhin të gjitha problemet tona. Prandaj na duhet një strategji kombëtare për Luginën e Preshevës që përfshinë diplomacinë, arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik. Të drejtat tona që po nëpërkëmben janë në vend të parë.

Pyetje: A ka të dhëna sa shqiptarë të Luginës së Preshevës janë larguar në drejtim të Perëndimit viteve të fundit?

Shaip Kamberi: Për shkak të diskriminimit, pasivizimit të adresave dhe mungesës së perspektivës, mosintegrimit, mosnjohjes së diplomave etj., shumë shqiptarë, sidomos pas luftës, janë larguar nga Lugina e Preshevës. Pikërisht kjo kategori e njerëzve, e cila, në kërkim të sigurisë dhe kushteve normale për jetesë, është në shënjestër të regjimit serb, i cili po i pasivizon. Ky është një eksod i heshtur që po shkreton rajonin.

Pyetje: Si informohen shqiptarët e Luginës së Preshevës mbi zhvillimet lokale? Sa janë funksionale mediat lokale dhe a gëzojnë përkrahje nga shteti?

Shaip Kamberi: Mediat lokale janë të dobëta dhe nuk marrin mbështetje nga shteti. Ato mbështeten kryesisht nga donacionet ose përpjekjet individuale dhe nuk kanë kapacitet për informim të gjerë e të paanshëm. Po përdoret edhe fondi i Repubikës së Kosovës për t’i ndihmuar ato, por fuqizimi i tyre kërkon kohë dhe kuadro.

Pyetje: Si janë raportet ndërnacionale në tri komunat me banorë shqiptarë në jug të Serbisë?

Shaip Kamberi: Raportet ndërnacionale prej vitesh janë të tensionuara, por pa konflikte të hapura. Megjithatë, mungesa e barazisë së trajtimit dhe politikat diskriminuese kultivojnë ndasi dhe mosbesim mes komuniteteve. Popullata serbe, e cila është e njoftuar me diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve, qëndron e heshtur – pa u solidarizuar me ne. Ajo ndjek zakonisht arsyetimet qeveritare për diskriminimin e shqiptarëve.

Pyetje: A ka investime nga diaspora e madhe e Luginës së Preshevës? Sa është e lartë papunësia?

Shaip Kamberi: Diaspora ndihmon financiarisht nëpërmjet remitencave, por mungojnë investimet strukturore edhe për shkak të pasigurisë ligjore dhe mungesës së përkrahjes nga shteti serb, i cili nëpüermjet militarizimit po e krijon imazhin e një rajoni të pasigurt. Papunësia është shumë e lartë, sidomos te të rinjtë.

Pyetje: Cilat do të ishin 5 kërkesat më të rëndësishme që do t’ua bënit politikanëve në Prishtinë dhe Tiranë për të trajtuar gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës?

Shaip Kamberi: Pesë kërkesat për Tiranën dhe Prishtinën do të ishin këto. Së pari: Strategji kombëtare për Luginën e Preshevës me politika afatgjata. Së dyti: Përfaqësim diplomatik të çështjes sonë në forume ndërkombëtare. Së treti: Mbështetje për arsimin dhe mediat shqipe në Luginë. Së katërti: Fonde për zhvillim ekonomik dhe mbështetje për diasporën. Së pesti: Koordinim të përhershëm institucional midis qeverive të Kosovës, Shqipërisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. /Koha/

You Might Also Like

Kasami merrë mbështetje në Malësinë e Tetovës, premton më shumë projekte se deri tani

Menduh Thaçi mobilizon strukturat e PDSH-së në Zhelinë: Koha është për veprim dhe unitet!

Elmazi: VLEN tregoi sot unitetin shqiptar, jemi krah për krah për Sarajin!

Kandidati i VLEN për Tearcë, Daut Memishi takon partinë turke TDP dhe deputetin Bejxhan Iljazin: Më 19 tetor vjen ndryshimi

Mexhiti: Opozita e ka dorëzuar lojën në Saraj, anëtarësia e BDI-së t’i bashkohet Elmazit

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Email Copy Link Print
Previous Article Kur pritët të përfundojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së? – Flasin avokatët e akredituar të Speciales
Next Article FALENDERIM

Stay Connected

FacebookLike
TwitterFollow
YoutubeSubscribe
TelegramFollow
- Advertisement -
Ad imageAd image

Latest News

Kasami merrë mbështetje në Malësinë e Tetovës, premton më shumë projekte se deri tani
Maqedoni
Menduh Thaçi mobilizon strukturat e PDSH-së në Zhelinë: Koha është për veprim dhe unitet!
Maqedoni
Elmazi: VLEN tregoi sot unitetin shqiptar, jemi krah për krah për Sarajin!
Maqedoni
Kandidati i VLEN për Tearcë, Daut Memishi takon partinë turke TDP dhe deputetin Bejxhan Iljazin: Më 19 tetor vjen ndryshimi
Maqedoni

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit “Argument”.

Quick Link

  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar

Sign Up for Our Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

© 2024 ArgumentMK - . All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?