Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka konfiskuar mbi 25 kilogramë substancë narkotike të dyshuar si marihuanë, në një aksion të zhvilluar në veri të vendit.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka realizuar një plan taktik të koduar “KONTROLLI”, pas informacioneve operative për dy automjete të dyshuara që po transportonin lëndë narkotike.
Dy vetura me targa serbe janë identifikuar në Pikën Kufitare në PKK Vërmicë, ku më pas njëra është ndaluar në Zveçan dhe tjetra në Jarinjë.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit të ndaluar në Zveçan, policia ka zbuluar hapësira të modifikuara brenda veturës, ku janë gjetur rreth 25.984 kg marihuanë. Ndërsa automjeti tjetër dyshohet se ka shërbyer si përcjellës për sigurimin e rrugës.
Në lidhje me rastin, janë arrestuar tre persona – një shtetas i Serbisë dhe dy shtetas të Malit të Zi. Në vendngjarje ka dalë edhe njësia e forenzikës, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

