Tiranë, 18 nëntor, argument.mk/ – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027 dhe paketën e re fiskale, ndërsa në fjalën e tij u ndal edhe te raporti i progresit të Komisionit Europian dhe ecuria e procesit të integrimit.
Rama u shpreh se raporti i progresit duhet parë përtej, siç tha ai, zhurmës dhe interpretimeve që bëhen në publik, duke theksuar se dokumenti përmban argumente për vijimin e punës së qeverisë.
“Në raportin e progresit të BE-së ka një togfjalësh që i thotë të tëra, arsye pse ne jemi krenarë për punën tonë, që i thotë të tëra arsye pse ne duhet dhe do ta vazhdojmë deri në fund punën tonë. Që i thotë të tëra arsye përse askush tjetër nuk e bën dot punën tonë”, deklaroi kryeministri.
Ai iu referua rekomandimit të Komisionit Europian për nisjen e përgatitjeve për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Komisioni Europian i rekomandon Këshillit Europian që në vitin 2027, pra në vitin që po troket, të nisë përgatitjet për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, ky rekomandim nuk do të ishte i mundur nëse Shqipëria nuk do të kishte shënuar progres në procesin e integrimit.
“Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga KE, në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e me duar, me britma si të shurdhuar, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestat”, tha Rama, duke iu drejtuar opozitës.
Kryeministri foli edhe protestat, duke i cilësuar ato si pjesë normale të jetës politike në një demokraci, ndërsa kritikoi opozitën për qëndrimin ndaj tubimeve.
“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta është gjëja më e natyrshme, por të jesh në opozitë dhe të mos të të pranojnë të afrohesh te protesta është gjëja më e dhimbshme”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se, kjo situatë tregon se opozita nuk është politikisht relevante në vend.

