Shkup, 18 nëntor, argument.mk/ – BDI akuzon koalicionin VLEN se, për shkak të mungesës së rezultateve konkrete në qeverisje, po përdor propagandën dhe shpifjet si instrumente të veprimit politik. Reagimi vjen pasi, sipas BDI-së, mbrëmë disa portale të afërta me VLEN-in sipas BDI-së e publikuan një lajm të pavërtetë lidhur me pagat e funksionarëve të kësaj partie.
Në një kumtesë për opinionin, BDI thotë se publikimi kishte për qëllim njollosjen e emrit të funksionarëve të saj dhe manipulimin e opinionit publik. Sipas partisë, pas demanteve të menjëhershme dhe paralajmërimeve për përgjegjësi ligjore nga persona të përfshirë në lajm, portalet që e publikuan informacionin u detyruan ta largojnë atë dhe të kërkojnë falje publike.
Reagimi i plotë:
Mbrëmë, portalet e afërta me VLEN-in plasuan një shpifje, një lajm të pavërtetë lidhur me pagat e funksionarëve partiakë të BDI-së, në një përpjekje të qartë për të njollosur emrat e tyre dhe për të manipuluar opinionin publik.
Por, pas demanteve të menjëhershme dhe paralajmërimit për përgjegjësi ligjore nga ana e funksionarëve të BDI-së, ndodhi ajo që e dëshmon më së miri natyrën e këtij operacioni mediatik: pas disa orësh, portali që e publikoi lajmin u detyrua ta largojë atë dhe të kërkojë falje publike. Të njëjtën gjë e bënë edhe portalet e tjera të afërta me VLEN-in, ndërsa edhe eksponentë të këtij subjekti që e kishin shpërndarë lajmin, i fshinë publikimet e tyre.
Ky zhvillim ngre pyetje serioze: kush i koordinon këto sulme, kush i furnizon portalet me informacione të pavërteta dhe kush merr përgjegjësi për dëmin që shkaktojnë shpifjet e tilla?
Në mungesë të rezultateve konkrete në qeverisje dhe përballë dështimeve të njëpasnjëshme, VLEN-i po e zhvendos betejën politike në terrenin e dezinformatave, shpifjeve dhe manipulimeve mediatike. Në vend të përgjegjësisë për premtimet e parealizuara, po ofron fushata diskreditimi ndaj kundërshtarëve politikë.
Fshirja e lajmit dhe kërkimfalja publike nuk e zhbëjnë dëmin e shkaktuar dhe as nuk e përjashtojnë përgjegjësinë për shpifjet e publikuara dhe të shpërndara.
BDI nuk do të lejojë që shpifjet të shndërrohen në instrument të politikës ditore. Çdo tentativë për njollosjen e funksionarëve të saj përmes informacioneve të fabrikuara do të marrë përgjigje publike dhe, kur është e nevojshme, edhe përmes rrugëve ligjore.
VLEN-i duhet të kuptojë se propaganda nuk është rezultat dhe shpifja nuk është politikë. Fshirja e lajmit i nxorri zbuluar dhe dëshmoi edhe një herë se veprimi i tyre politik është mashtrim, shpifje dhe vetëm një zero!

