I mbijetuari i masakrës në Krushë të Madhe, Selami Elshani ka rrëfyer në detaje atë se çfarë ndodhi para 25 vitesh në masakrën që është bërë nga forcat serbe.
Elshani në një rrëfim për Radio Dukagjinin ka treguar se është nga fshati Retijë, por në Krushë ishte mysafir te dajallarët.
Ai tregon në detaje nga momenti kur i kanë grumbulluar mbi 500 persona, endjet që ja u kanë bërë, maltretimet e si kishte shpëtuar.
“Krejt planifikimet i kishin bo Policia e Serbisë se çka me bo me neve…”, thotë ai, gjersa tregon që meshkujt i kishin ulur në gjunjë, duke i ndarë në rende.
“Vetëm një korridor e kishin lanë në mes… me qëllim që fëmija me t’i shkel këmbët e mos me guxu me këqyr” tha ai.
“Kur mi ka shkel djali jem i vogël, atëherë i kishte 3 vjet e gjysmë, djali mi ka shkel dy këmbët… nuk kom guxu me këqyr veç lotët më kanë shtu teposhtë…”, tha ai.
Elshani po ashtu tregon momentin kur policia ka gjuajt me armë pa ndërprerë, derisa i kanë gjuajt për toke të gjithë…
“Mua më bijnë kufomat mbi…isha me fytyrë për dheu…”, tregon ai.
I mbijetuari i masakrës së Krushës po ashtu thotë se komanduesi i policëve iu kishte dhënë urdhër policëve të shkojnë të marrin benzinë, e disa të tjerëve të qitnin tallë.
“Kur më bijnë kufomat mbi, e qesin tallë, e bijnë edhe benzinën e kur e derdhin e ndijë se e rëndë… kur qitën tallë nuk mujsha me dallu çka po flitet ma… e kishin kall tallën, por nuk dija çka po ndodhë…. e pastaj fillojë temperatura me të madhe….”.
Ai i kishte dëgjuar policët teksa bisedonin për t’u siguruar se ishin pushkatuar të gjithë.
“Kur na kanë gjuajt për së rati atëherë më ra një plumb në shpatull…por vetëm ma shkyu lëkurën…Kur menduan se nuk ka të gjallë, nisin për me kallë… e niva tallën që po kërcet prej zjarrit… Po të kish mbërri benzina deri në trup s’kisha mujt me dal unë…”, tha ai.
Elshani më tej tregon momentet se si ka arritur të dalë nga zjarri, gjersa thekson se diku 50, 60 cm kishte prush mbi trupa.