Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vlerësoi sot kontributin e Kongresit të Lushnjës në fillesat e parlamentarizmit në Shqipëri.
Në kuadër të 105-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot
aktivitetin “Parlamentarizmi, Republika, Demokracia”.
Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Spiropali vlerësoi se Kongresi i Lushnjës vendosi gurët e themelit të parlamentarizmit shqiptar.
“Në më pak se një dekadë pas shpalljes së Pavarësisë, Kongresi i Lushnjës shënoi një moment historik për popullin shqiptar, hodhi hapat e parë drejt një shteti të organizuar. Parlamentarizmi kurorëzoi e jetësoi përpjekjet e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të bazuar në drejtësi, liri dhe barazi”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi po ashtu se parlamentarizmi ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e institucioneve dhe konsolidimin e parimeve, vlerave e standardeve demokratike duke krijuar e forcuar përgjatë historisë së tij lidhjen mes qeverisë dhe të qeverisurve.
“Kongresi i Lushnjës rrëzoi në sytë e fuqive të mëdha paragjykimin dhe stigmën mbi paaftësinë e shqiptarëve për t’u bashkuar, për të marrë vendime kombëtare, për të bërë shtet e ndërtuar institucione qeverisëse, se si të tillë nuk e meritonin shtetin e tyre të pavarur. Kongresi i Lushnjës e shkallmoi përfundimisht këtë sfidë”, tha Spiropali.
Po ashtu, Kryetarja e Kuvendit theksoi se Kongresi plotësoi vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe Kuvendit të Durrësit dhe ndërtoi institucione përfaqësuese të shtetit.
“Rizgjedhja e Këshillit Kombëtar me atributet e parlamentit ishte ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjës. Vendimi për krijimin e trupës legjislative, e para pas shpalljes së pavarësisë ishte fillesa e parlamentarizmit shqiptar. Nga Lushnja nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur parlamentare e republikane”, tha Spiropali.
Sipas saj, “Kongresi i Lushnjës, duke themeluar parlamentarizmin, përveç kontributeve për Republikën, shënoi edhe fillesat e para të ndërtimit të demokracisë”.
“Me formimin e Këshillit Kombëtar, si parlamenti i parë shqiptar dhe afirmimit të parimeve të parlamentarizmit, u vendosën bazat e një institucioni përfaqësues që do të përfaqësonte interesat e kombit dhe do të kontribuonte në ndërtimin e një rendi ligjor: emërimi i qeverisë dhe kontrolli parlamentar ndaj saj”, u shpreh Spiropali.
Kryeparlamentarja theksoi se parlamentarizmi shqiptar ka pësuar një ndërthurje procesesh e betejash politike e shoqërore, të karakterizuara nga përpjekja për të përfaqësuar qytetarët dhe promovuar dialogun politik.
Duke bërë një retrospektivë të etapave që ka kaluar parlamentarizmi shqiptar, Spiropali nënvizoi se 105-vjetori i Parlamentit shqiptar është një mesazh për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat, kontributin në konsolidimin e institucioneve dhe vlerave demokratike, por edhe bashkëpunimin për të inkurajuar kulturën politike që promovon dialogun dhe respektin për diversitetin e ideve dhe alternativave.
“Kuvendi i Shqipërisë është institucioni që përfaqëson vullnetin e popullit, një shtyllë e rëndësishme e sistemit demokratik, me një rol vendimtar për të siguruar përfaqësim të drejtë, proces legjislativ e vendimmarrje transparente, kontrollin parlamentar efektiv, thellimin e reformave, lidershipin, gjithëpërfshirjen dhe legjitimimin demokratik të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërveprimin e partneritetin me institucionet e pavarura, shoqërinë civile, publikun, mediet dhe qytetarët”, shtoi ajo.
Sipas Spiropalit, “procesi i konsolidimit demokratik vazhdon të përballet me sfida të shumta”.
“Reforma në sistemin e drejtësisë dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian janë dy objektivat të rëndësishme për Kuvendin, për të konsoliduar demokracinë dhe fuqizuar institucionet. Rritja e angazhimit qytetar dhe pjesëmarrja aktive në proceset politike mbetet thelbësore për demokracinë. Duke u përkushtuar për integritetin e institucioneve, duke forcuar demokracinë parlamentare dhe duke promovuar unitetin përtej ndarjeve politike, mund t’i shndërrojmë, duhet t’i shndërrojmë dhe po i shndërrojmë aspiratat integruese në një realitet të prekshëm”, u shpreh Spiropali.
Duke nënvizuar arritjet e vendit në vitet e fundit në përshpejtimin e ritmeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Spiropali theksoi se “Shqipëria është sot një vend lider në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, madje vendi kandidat me vendosmërinë e shpejtësinë më të madhe drejt familjes europiane dhe ka shpallur si objektiv strategjik kombëtar anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030”.
“Të gjithë po punojmë që Kuvendi dhe Republika e Shqipërisë gjatë legjislaturës së ardhshme të jenë Kuvendi dhe Republika e një vendi anëtar të Bashkimit Europian, për t’u kthyer përfundimisht në rrënjët, identitetin dhe ëndrrën tonë europiane, e cila ishte njëkohësisht ëndrra e burrave të Kongresit të Lushnjës”, përfundoi Spiropali.