Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat tha sot se “zhvlerësimi i qëllimshëm i euros ka rrënuar eksportet dhe ka rënduar situatën financiare për bizneset fason”.
“Në mënyrë të veçantë, eksportet për kategorinë tekstile dhe këpucë kanë rënë me 20%. Kjo do të thotë mbyllje e dhjetëra bizneseve fason dhe humbje e vendeve të punës për mijëra familjarë”, tha Xhixho.
Xhixho tha se “fasonët kanë kërkuar mbështetje, por qeveria është tallur me mijëra sipërmarrës të ndershëm dhe punonjës që nuk kanë me çfarë të mbajnë sot familjet”.
Sipas Xhixhos “kërkesës së vetë fasonëve dhe opozitës për ndihmë reale financiare, qeveria iu përgjigj me një pseudogaranci sovrane prej 4 miliardë lekësh, e cila i shërbeu vetëm asaj për propagandë”.
Xhixho shtoi më tej “Shqipëria, fuqi eksportuese, është njëri prej 5 prioriteteve të Partisë së Lirisë.”
“Përmes një platforme të qartë, ne do të: Mbështesim aktivitetet prodhuese dhe eksportuese për të arritur mbi nivelin e eksporteve 50 % të PBB, me mbështetje në infrastrukturë, çlirim të administratës nga korrupsioni dhe vendosje në shërbim të investimeve dhe biznesit, kualifikim të fuqisë punëtore, përjashtim të mjeteve të prodhimit nga detyrimet fiskale”, theksoi Xhixho.
Xhixho tha më tej se do të ulin koston e energjisë (të karburanteve me mbi 20 %, ulje e çmimit të energjisë elektrike për konsum familjar në 8L/KW nga 10.1L/KW që është aktualisht). Liberalizim dhe subvencionim për energjinë diellore për konsum familjar.
“Mbledhim rentën nga minierat, nga përdorimi i burimeve natyrore dhe përdorimi i natyrës për qëllime biznesi, dhe përdorimi i saj për fondin e pagave dhe pensioneve”, tha Xhixho.
Po ashtu Xhixho shtoi se do të “mbështesim aktivitetet prodhuese, si dhe në fushën e IT dhe inovacionit. 10000 Euro për start-upet dhe një periudhë pa taksa për 5 vite”.
“Eksportet mund të rimëkëmben, bizneset fason mund të rivitalizohen. Duhet mbështetje reale dhe jo mashtrime që rëndojnë mbi qytetarët dhe biznesin e ndershëm për të favorizuar oligarkët”, tha Xhixho.

