Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur për “Mashtrim” me pasoja të rënda shtetasin A.T., i cili shiti apartamente e njësi tregtare pa ua dorëzuar blerësve, duke u shkaktuar 2 milionë euro dëm.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, përfundoi hetimet dhe merr të pandehur shtetasin A.T., për veprën penale të ‘Mashtrimit’ me pasoja të rënda si dhe personin juridik ‘A C’ sh.p.k. për të njëjtat vepra penale. Në kuadër të hetimeve të zhvilluara, në ngarkim të këtij shtetasi u caktua masa e sigurisë ‘Arrest në burg’, masë e cila u ekzekutua më 14.01.2025 nga autoritetet Hollandeze, pas shpalljes në kërkim me 08.04.2024 të këtij shtetasi”, njofton Prokuroria e Durrësit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, “nga hetimet e zhvilluara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm Durrës, rezultoi se shtetasi A.T., administrator i shoqërisë “A C” sh.p.k dhe personi juridik “A C” sh.p.k., pas pajisjes me leje ndërtimi (të pazbardhur për shkak të mospagimit të detyrimeve ndaj Bashkisë Durrës) për ndërtimin e një objekti multifunksional, kanë lidhur kontrata sipërmarrje me persona të ndryshëm kundrejt pagesave përkatëse”.
“Në përfundim të hetimeve rezultoi se i pandehuri A.T nëpërmjet mashtrimit pasi ka mbajtur kontrata për shitje apartamente/njësi tregtare/garazhe, me të dëmtuarit për objekte të cilat nuk janë dorëzuar as aktualisht edhe pse janë likujduar sipas kontratëve, ju ka sjellë atyre një dëm ekonomik në vlerën 2.099.522 euro”, njofton Prokuroria e Durrësit.