Prof. Dr. Tahir Zajazi është njohës i thellë i problemeve të arsimit në përgjithësi dhe të arsimit shqip në veçanti – në Maqedoni. Prej duarve të tij kanë dalë breza të tërë mësuesish, arsimtarësh, profesorësh, pedagogësh dhe ligjëruesish universitarë. Një jetë të tërë e kaloi me nxënës, me studentë, me kolegë, me punëtorë të arsimit, me prindër, me shefa katedre, me prodekanë, me dekanë, me prorektorë, me rektorë, me studiues dhe me dijetarë, përkatësisht me shkencëtarë.
Ndaj procesit arsimor ka një qasje humane. Thekson rëndësinë e arsimit në zhvillimin e një shoqërie dhe në përparimin e një populli apo të një kombi. Thekson rolin dhe rëndësinë e shkollimit për përparimin e njerëzimit, flet për rëndësinë universale të shkollës, të shkollimit, të librit dhe të diturisë. Flet për nevojën dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të shkollimit dhe të emancipimit të femrës. Afirmon pikëpamjen se arsimimi është kusht për daljen e një populli nga obskurantizmi në dritë. Shkollimin e konsideron sinonim të dritës dhe të emancipimit. Punimet studimore dhe tezat e veta i ilustron me fakte, argumente, skica, shifra, tabela, skema, diagrame, pasqyra. Të dhënat i pasqyron edhe në mënyrë grafike.
Autori i këtij libri rëndësi të veçantë i kushton procesit të mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Ai i mbështet metodat bashkëkohore, përkatësisht moderne në sistemin e arsimit dhe në procesin mësimor.