Nga Shpëtim Luku
Zgjedhjet përfunduan dhe Partia Socialiste ka siguruar fitoren për herë të katërt rrjesht. Rrotacioni nuk erdhi as këtë herë dhe ky është një lajm sa i mirë, edhe i keq për vendin. Është lajm i mirë sepse i transmetoi sërish opozitës aktuale mesazhin se kështu si është ajo, e pa reformuar, e drejtuar nga një person që jo vetëm i ka ikur koha, por ka edhe probleme të shumta, me grup parlamentar ku shumica e tyre janë persona që nuk duhet të ishin aty, rrotacioni është utopi.
Ndaj prej kohësh ka humbur kuptimi real i rrotacionit të pushtetit në Shqipëri. Në vend që të vijë si rezultat i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të shtyrë nga performanca e qeverisë dhe oferta e opozitës, sot çdo ide për ndryshim politik duket e pamundur.
Arsyeja kryesore për këtë bllokim është kriza e thellë e opozitës, e cila prej vitesh mbahet peng nga një lider i diskredituar, i cili i përdor strukturat dhe tribunën politike për hallet e veta personale e familjare, dhe jo për interesin publik.
Kjo gjendje ka krijuar një ekuilibër të rremë politik, ku mazhoranca, megjithë lodhjen e saj të natyrshme pas më shumë se një dekade në pushtet, nuk përballet me garë reale. Në mungesë të një kundërshtari politik që mund të ofrojë një alternativë të besueshme, ajo është e detyruar të zhvillojë një formë vetëkorrigjimi të brendshëm. Ky vetëkorrigjim ndodh kryesisht si reagim ndaj zërit të shoqërisë civile, medias kritike, ndonjëherë faktorëve ndërkombëtarë, apo dinamikave të brendshme të partisë në pushtet.
Ka pasur raste kur ky mekanizëm ka funksionuar: shkarkime ministrash pas skandaleve, ndalesa ndaj veprimeve të caktuara që rrezikonin legjitimitetin publik, apo edhe tërheqje nga nisma të diskutueshme. Por ky vetëkorrigjim është gjithmonë selektiv dhe i kufizuar. Ky pra është lajmi i keq i rrotacionit të munguar. Sepse vetëkorigjimi nuk është rrjedhojë e një kulture të thellë llogaridhënieje, por bëhet nga nevoja për të ruajtur imazhin dhe pushtetin. Në thelb, mazhoranca nuk korrigjon veten për të qenë më e mirë, por për të mos u rrëzuar.
Kjo nuk mjafton. Demokracia nuk funksionon me një palë të vetme. Shoqëria ka nevojë për një opozitë që të ushtrojë presion të vazhdueshëm politik, etik dhe institucional. Pa të, mazhoranca humbet motivimin për përmirësim dhe vendi rrëshqet drejt një regjimi ku pushteti është formal, por jo realisht i kontrolluar.
Vetëkorrigjimi është një mekanizëm i dobishëm, por vetëm kur funksionon paralelisht me presionin e një opozite aktive dhe kompetente. Në Shqipëri, për sa kohë opozita mbetet peng i një lideri që nuk pranon të largohet dhe i një klase politike që nuk gjeneron dot një profil të ri besimi, pushteti mbetet pa rival dhe demokracia pa balancë.
Për shoqërinë shqiptare, kjo është një rrugë e rrezikshme. Pa konkurrencë reale, pa ide të reja dhe pa kontroll të vërtetë politik, vendi ngec në një status quo që nuk prodhon përparim, por stagnim. Vetëkorrigjimi i mazhorancës mund të jetë një shenjë e reflektimit të brendshëm, por ai kurrë nuk mund të zëvendësojë kontrollin e jashtëm që e mban pushtetin në ekuilibër dhe shoqërinë në lëvizje.
Për këto arsye dhe për këtë vetëdije rreth rolit të opozitës në demokraci e kemi ngritur zërin vazhdimisht mbi nevojën e reformimit të saj për t’u bërë alternativë e besueshme qeverisëse. Por mendjelehtët dhe interesaxhinjtë e vegjël e kishin gati “kundër argumentin”: po bën opozitën e opozitës.