Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Naser Hafizi, avokatit Shpetim Mehmeti, ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hafizit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Gjykata Themelore në Prishtinë përmes vendimit të 11 tetorit 2024 ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Naser Hafizit nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndaj këtij vendimi, ankesë kishte ushtruar avokati Mehmeti për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike. Kishte propozuar që Apeli ta ndryshojë aktvendimin e ankimuar ashtu që të pandehurit t’i ndërprehet masa e paraburgimit ose t’i caktohet një masë më e butë.
Gjykata e Apelit përmes aktvendimit të 18 tetorit 2024, ka gjetur se ankesa e mbrojtjes është e pabazuar.
Shkalla e dytë ka konstatuar se vendimi i Themelores është i drejtë dhe i bazuar në ligj. Edhe Apeli vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar se Hafizi në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat e caktuara në Ligjin për Ujërat e Kosovës, si dhe Udhëzimin Administrativ për strukturën e pagesave ujore, duke anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror, i cili ishte formuar me qëllim të llogaritjes së borxheve të ambalazhuesve ndaj ARLP-së.
Apeli thekson se shkalla e parë dyshimin e bazuar e mbështet në prova të mjaftueshme të cilat tregojnë qartë veprimet inkriminuese të të pandehurit.
“Gjykata dyshimin e bazuar e vërtetoi edhe nga deklarata e dëshmitares M. D., në pozitën e ushtrueses së detyrës së Drejtorit të ARPL-së, ka qenë kundër kësaj procedure, duke konsideruar se kjo mënyrë e inkasimit të borxheve është e kundërligjshme. Vazhdimisht e njëjta ka kundërshtuar këtë proces e për këtë arsye disa herë i është inicuar procedurë disiplinore për shkak të qendrimit dhe mospajtimeve të saj lidhur me mënyrën e inkasimit të borxheve nga ana e të pandehurve”, thuhet në vendim.
“…dhe atë duke marrë për bazë pasi i pandehuri mundë do t’i asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën normale të hetimeve, marrë parasysh peshën e veprës penale, lënia në liri e të pandehurit, mund të përdoret si mundësi reale që ai të ndikojnë në dëshmitarët kyç të këtij rasti penal, ku shumica e tyre janë zyrtarë të MMMPHI-së, ngase nga dëshmitë e siguruara nga ata provohet fakti se kanë qenë kundër procesit në mënyrën si ka rrjedhur procedura e inkasimit të borxheve, por që fjala e tyre, pavarësisht se vlerësohet se ka qenë e drejtë, nuk është marrë parasysh”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.
Të pabazuar, Apeli e gjen pretendimin se duhet t’i caktohet masë më e butë Hafizit, pasi paraburgimi në këtë fazë vlerësohet masë e drejtë dhe që mundëson zhvillimin e hetimeve në mënyrë të papenguar.
Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.
Aty thuhet se raporti në fjalë tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të paligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit për veten ose për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.
Në anën tjetër, thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara. Përkatësisht, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, edhe që më 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë dhe nuk e ka deklaruar një banesë që e kishte blerë më 2023, e që e kishte obligim ta deklarojë më 2024. Detajet nga Dosja për Hafizin mund t’i gjeni: KËTU.
Prokuroria Speciale, gjatë aksionit 8 tetor kishte bërë të ditur se Hafizi nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Kurse, një ditë më parë përmes një komunikate nga PSRK, është thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë. /BetimipërDrejtësi/