Tiranë, 02 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu sot mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, pas sulmeve të protestuesve ndaj efektivëve.
Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, Balla u shpreh se protesta është ndarë në dy pjesë, kemi protestuesit e vërtetë dhe ata që kanë precedentë penalë.
“Unë jam mësuar në këto 13 vite të qeverisjes sonë se ne nuk mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash sociale e politike mendojnë që parlamenti duhet të shpërndahet. Sot, edhe shqiptari më skeptik e kupton që këtu është një skenar tërësisht jo shqiptar, në dëm të Shqipërisë. Ky skenar nuk është surprizë për ne, e kemi pritur, kemi kohë që e presim”, tha ai.
Balla theksoi se kushdo që ngre dorë do të përballet me forcën e Policisë së Shtetit.
“Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Mbështes Policinë e Shtetit. Kushdo që ngre dorë, do të përballet me forcën e Policisë së Shtetit. Për 28 ditë nuk pati asnjë akt dhune dhe pjesëmarrja ishte më e madhe”, u shpreh Balla.
Sipas tij, pas pak ditësh do të vijë momenti kur qeveria do të ulet me protestuesit e vërtetë, ata që u ngritën për natyrën, për arrogancën e çdo punonjësi të administratës që ka zënë karrigen.
“Protestuesit sot ndahen qytetarët që mbushin bulevardin dhe një grup personash me precedentë penalë. Kush bën dhunë, është element me precedent të rëndë kriminal”, tha Balla.
Balla theksoi se dy deputetët e PS-së, Ulsi Manja dhe Admir Kadeli janë sulmuar fizikisht nga grupi i protestuesve që u futën brenda lokalit pranë Akademisë së Shkencave.
“Kanë qenë duke pirë kafe pranë godinës së Kuvendit. Aty janë sulmuar fizikisht nga banda kriminale e Prognit. Kjo bandë është turp i Policisë së Shtetit që ka vonuar ndalimin e tij që pardje. Publiku që na ndjek duhet të jetë i shqetësuar për goditjen në kokë të efektivit. Nuk ka vend në botë që pasi goditen deputetë duke ushtruar mandatin dhe goditet Policia, kjo e fundit të mos reagojë me ndalimin e personave. Në momentin që personi nuk pranon të dorëzohet gjatë ndalimit, është e detyruar ta shoqërojë me force”, shtoi Balla.
Sipas tij, “shërbëtorë të Iranit dhe të grupeve të ndryshëm kriminale, janë përfshirë sot në sulme ndaj institucioneve”.
“Urdhëruesit dhe porositësit dihen. Ne kemi që ditën e parë që ju themi këtu ka persona të paguar”, tha Balla.
Balla kritikoi gjithashtu Prokurorinë, duke u shprehur se duhej të kishte nisur hetime ndaj personave që, sipas tij, bëjnë thirrje për dhunë dhe sulmojnë institucionet.
Në fund të deklaratës, ai përsëriti ftesën për dialog me protestuesit paqësorë, duke u shprehur i bindur se “koha do ta sjellë këtë grup të distancuar nga dhuna tek ne”.

