Shkup, 14 maj – Kryeministri Hristijan Mickoski, lidhur me vizitën e nesërme në Shkup të kryetarit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, tha se do të transmetohen qëndrimet tona lidhur me ndryshimet kushtetuese.
“Qëndrimet tona janë të qarta lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe këtu nuk ka ndryshim, pasi nga pala tjetër ne nuk shohim të paktën deri në këtë moment çfarëdo sinjali se ka ndryshim në sjelljen, respektivisht nga ana e fqiut tonë lindor. Mua më vjen keq që është kjo ashtu dhe shpresoj se në periudhën që vijon, më shumë do të flasim për zgjidhje se sa për probleme”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se cilat janë pritjet nga vizita dhe çfarë porosi do të dërgohen.
Mickoski tha edhe se me ftesë të Koshtës, do ta shoqërojë në fluturimin e tij nga Shkupi për në Tiranë, ku kryetari i Këshillit të BE-së do të organizojë darkë për liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa të premten do të kenë takim me komunitetin politik evropian në Tiranë.
Ambasadori polak në vend, Mariush Brimora, vendi i të cili është kryesues aktual me BE-në, në intervistë për MIA-n, tha se vizita e kryetarit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Koshta në Shkup, është edhe një sinjal për prioritetet e BE-së dhe se fakti që e viziton Ballkanin Perëndimor, që vjen për vizitë në Shkup, është dëshmi se janë të gatshëm për zgjerim.
“Nga perspektiva ime, mund të përmend gjithashtu se kryeministri ynë Donald Tusk do të vizitojë Shkupin në muajt e ardhshëm dhe ky do të jetë një tjetër sinjal se ne kujdesemi për Maqedoninë e Veriut, se e mbështesim vendin, se Presidenca, Këshilli i BE-së mbështesin procesin e hapjes së negociatave dhe kjo është shenjë e fortë se do të presim një përgjigje nga Maqedonia e Veriut”, theksoi ambasadori Brimora për MIA-n.
Vizita e Koshtës në Shkup është pjesë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të të cilit ai më parë vizitoi Beogradin dhe Sarajevën.
Qëllimi i vizitës së Koshtës në rajon është të konfirmojë angazhimin e BE-së ndaj rajonit dhe perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE.
“Përforcimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është prioritet kyç politik për BE-në dhe për mua personalisht”, tha Koshta në prag të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi se e viziton rajonin për të folur me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët “përballen me sfida të vazhdueshme” dhe për të treguar se BE-ja është e gatshme t’i ndihmojë ata.

