By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Argument-MKArgument-MK
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Reading: Nga një polip beninj drejt shtratit të vdekjes/ 72-vjeçarja përfundon në katër operacione, me stomë dhe infeksione të rënda
Share
Notification Show More
Font ResizerAa
Font ResizerAa
Argument-MKArgument-MK
  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Have an existing account? Sign In
Follow US
  • Advertise
© 2022 Foxiz News Network. Ruby Design Company. All Rights Reserved.
Argument-MK > Blog > Maqedoni > Nga një polip beninj drejt shtratit të vdekjes/ 72-vjeçarja përfundon në katër operacione, me stomë dhe infeksione të rënda
MaqedoniTOP LAJM

Nga një polip beninj drejt shtratit të vdekjes/ 72-vjeçarja përfundon në katër operacione, me stomë dhe infeksione të rënda

admin
Last updated: 12/11/2026 20:00
By admin 21 Min Read
Share
SHARE
Shkup, 12 nëntor argument.mk/ – “Fokus” disponon dokumente, komunikime, fotografi, si dhe emrat e të gjithë personave të përfshirë në këtë kalvar shëndetësor, gjatë të cilit një paciente 72-vjeçare, nga një ndërhyrje e zakonshme kirurgjikale, përfundoi në gjendje kërcënuese për jetën. Kjo nuk është vetëm një histori për komplikime mjekësore, por edhe një dëshmi për neglizhencë serioze, moskujdes ndaj nevojave elementare të një pacienteje në gjendje kritike dhe sjellje të papërshtatshme të personelit mjekësor. Pacientja, pas një operacioni rutinë për heqjen e një polipi beninj, përfundoi me katër ndërhyrje kirurgjikale brenda vetëm tri javësh, stomë, infeksione të rënda, inde të nekrotizuara dhe luftë për jetën. Ajo mezi shpëtoi pasi familjarët, në momentet e fundit, vendosën ta transferonin në një spital privat, ku iu nënshtrua operacionit të katërt. Në raportin mjekësor të këtij spitali dokumentohen gjithçka që kishte përjetuar pacientja dhe problemet e konstatuara gjatë trajtimit të saj.

Shkruan: Irena Mulaçka

Mjekët janë njerëz dhe, si të tillë, edhe në punën e tyre mund të ndodhin gabime njerëzore, sipas shprehjes popullore: “Kush punon, edhe gabon”. Por në Maqedoni, ndryshe nga vendet e tjera, problemi lind atëherë kur gabimet fshihen nga institucionet kompetente dhe askush nuk mban përgjegjësi për jetën e humbur, komplikimet gjatë trajtimit apo gabimet e bëra pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ndërkaq, në vendet evropiane ndiqet një qasje tjetër. Problemet trajtohen shpejt dhe me procedura të përshpejtuara. Mjekët e pranojnë gabimin para familjarëve, të cilët më pas vendosin se çfarë hapash do të ndërmarrin, ndërsa institucionet e trajtojnë rastin pa zvarritje, qoftë kur bëhet fjalë për kompensim financiar apo për zgjidhje përmes gjykatës.

Një rast i tillë është regjistruar pesë vjet më parë në Nju-Jork, kur një grua 40-vjeçare humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje për heqjen e një polipi, pasi gjatë një kolonoskopie rutinë ndodhi perforimi, përkatësisht çarja e murit të zorrës së trashë. Gruaja ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve pas ndërhyrjes dhe mosidentifikimit me kohë të dëmtimit nga mjekët që kishin kryer procedurën.

Familja e 40-vjeçares, duke mos u pajtuar me faktin se një ndërhyrje rutinë kishte përfunduar me vdekjen e saj, e kërkoi drejtësinë në rrugë gjyqësore. Në fund, familjarët e fituan betejën dhe siguruan kompensim prej 10,75 milionë dollarësh.

Një rast i ngjashëm në Karolinën e Jugut përfundoi me marrëveshje kompensimi prej 750 mijë dollarësh, pas vdekjes së një burri 67-vjeçar. Edhe në këtë rast, gjatë kolonoskopisë, një ekzaminim gjatë të cilit mjeku kontrollon pjesën e brendshme të zorrës së trashë përmes një tubi me kamerë të vogël në majë, ndodhi çarja e murit të zorrës. Pas ndërhyrjes pati gjakderdhje të brendshme, si pasojë e së cilës organet e pacientit filluan të pësonin dëmtime, ndërsa kjo gjendje nuk u konstatua me kohë nga mjekët.

Raste të gabimeve mjekësore, të ngjashme me ato që ndodhin në vende të tjera, ka edhe në Maqedoni. Shumë familje janë veshur me të zeza. Një pjesë e tyre, pavarësisht dhimbjes, vendosin të flasin publikisht dhe ta kërkojnë drejtësinë në gjykatë. Megjithatë, kjo është Maqedonia, ku shumëkush duket se e ka harruar kuptimin e fjalës drejtësi. Kështu, shumë raste përfundojnë duke mbledhur pluhur në arkivat e gjykatave, ndërsa familjet mbeten edhe pa njerëzit e tyre të dashur, edhe pa drejtësinë që meritojnë.

Diku gjatë rrugës, disa mjekë duket se e kanë harruar edhe Betimin e Hipokratit, me të cilin zotohen se shëndeti dhe jeta e pacientit do të jenë gjithmonë përparësia e tyre.

NGA POLIPI BENINJ NË GJENDJE KËRCËNUESE PËR JETËN

Ngjarja nis në Repartin e Kirurgjisë Digjestive në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”. Një paciente kalon një ferr të vërtetë nëpër korridoret e këtij institucioni shëndetësor, një kalvar që zgjat pothuajse një muaj dhe që e çon deri në prag të vdekjes. Familjarët, pas gjithë asaj që kishin përjetuar, alarmohen dhe marrin vendimin që ta transferojnë në një spital privat, ku në momentet e fundit i shpëtohet jeta.

Por, çfarë kaloi 72-vjeçarja nga Dellçeva, e cila kishte shkuar në spital vetëm për një ndërhyrje rutinë për heqjen e një polipi?

“Fokus” disponon dokumente, komunikime, fotografi, si dhe emrat e të gjithë personave të përfshirë në këtë kalvar shëndetësor, gjatë të cilit 72-vjeçarja, nga një ndërhyrje e zakonshme, përfundoi në gjendje kërcënuese për jetën.

Kjo nuk është vetëm një histori për komplikime mjekësore, por edhe një dëshmi për neglizhencë serioze, moskujdes ndaj nevojave elementare të një pacienteje në gjendje kritike dhe sjellje shqetësuese të personelit mjekësor.

I gjithë kalvari shëndetësor i pacientes nga Dellçeva fillon më 1 shtator të këtij viti. Deri në atë moment, ajo ishte e pavarur, lëvizte dhe kryente aktivitetet e përditshme pa ndihmë, ndërsa disa sëmundje kronike që kishte i mbante nën kontroll përmes terapisë së rregullt. Ajo ishte dërguar për konsultë te një kirurg digjestiv në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, për shkak të një polipi në zorrën e trashë, për të cilin, siç e kishin informuar, ishte beninj.

“Na thanë se nuk ishte asgjë serioze! Na propozuan që operacioni të kryhej që më 3 shtator. Pyesnim veten pse duhej një ndërhyrje kaq urgjente. Por i thamë vetes se mjekët janë profesionistë dhe me siguri e dinë se çfarë po bëjnë.

Operacioni i parë u krye më 3 shtator dhe zgjati rreth pesë orë. Për një ndërhyrje që ne e prisnim si relativisht të kufizuar, kohëzgjatja na habiti.

Pas operacionit na njoftuan se, përveç polipit dhe një pjese të zorrës, ishte hequr edhe një tumor në mitër, përkatësisht një miomë.

Përsëri pyesnim veten se si dhe përse një kirurg digjestiv kishte kryer edhe një ndërhyrje të tillë. Por sërish u besuam profesionistëve.

Prisnim që nëna ime të kthehej në shtëpi pas disa ditësh”, rrëfen për “Fokus” vajza e pacientes, 39-vjeçarja I.A.

Por, në vend të kësaj, pikërisht këtu fillon beteja e saj për jetën. Në ditët e para pas operacionit, pacientja u transferua në repart, ku gjendja e saj shëndetësore filloi gradualisht të përkeqësohej.

“Vjellte, ishte gjithnjë e më e rraskapitur, ndërsa nga drenazhet abdominale filloi të dilte një përmbajtje e errët, pothuajse e zezë. Kërkoja mjekun. Kërkoja infermieret. I paralajmëroja se diçka serioze nuk ishte në rregull. Për dy ditë kërkova ndihmë, por nuk e morëm. Më përgjigjeshin se kjo ishte normale dhe se nuk kishte arsye për shqetësim. Ndërkohë, gjendja e nënës sime vazhdonte të përkeqësohej.

E shihja se mezi merrte frymë. Insistoja se kishte nevojë për vlerësim urgjent nga mjeku. Njëri prej mjekëve më tha se gruaja ishte mirë dhe se nuk duhej të ndërhyja në punën e tyre”, shpjegon vajza.

Pa pasur zgjidhje tjetër, ajo gjeti numrin e telefonit të kirurgut që kishte kryer operacionin dhe e kontaktoi personalisht. Insistoi se nëna e saj ndodhej në gjendje të rëndë.

“Pas disa ditësh paralajmërimesh, më në fund u bë një rivlerësim i gjendjes dhe u konstatua se ishte i domosdoshëm një operacion urgjent. Menjëherë e dërguan në sallën e operacionit. Kjo, pasi më parë na thoshin se gruaja ishte shumë mirë”, thotë 39-vjeçarja.

TRI OPERACIONE TË RËNDA BRENDA VETËM DY JAVËVE

Megjithatë, këtu nuk përfundon tmerri që kishte përjetuar 72-vjeçarja nëpër korridoret e spitalit, ku nga një operacion rutinë përfundoi në gjendje kërcënuese për jetën. Kalvari i saj vazhdoi edhe në ditët në vijim.

Mjekët që kryen ndërhyrjen pretenduan se kishte ndodhur një komplikim serioz i lidhur me një divertikul të zorrës, përkatësisht një infeksion që shkakton dhimbje në pjesën e poshtme të majtë të barkut, temperaturë dhe ndryshime në jashtëqitje. Më 7 shtator iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, operacionit të dytë. Brenda vetëm katër ditësh ishin kryer dy operacione.

“Nëse nuk do të kishe alarmuar ti, gruaja do të kishte vdekur”, më thoshin. Shumë bukur, mendoja me vete. Pasoi operacioni i dytë i madh abdominal, i cili përsëri zgjati rreth pesë orë. Pyesnim veten se si nga një polip beninj kishim përfunduar në një operacion të dytë urgjent dhe në një gjendje kërcënuese për jetën. Nëna ime u transferua në kujdesin intensiv”, rrëfen vajza.

Por tmerri që përjetonte pacientja vazhdoi edhe më tej. Pas operacionit të dytë, familjarët kishin mundësi ta vizitonin në kujdesin intensiv vetëm për disa minuta në ditë. Gjatë këtyre vizitave vunë re ndryshime në përmbajtjen që dilte nga drenazhet.

“Përsëri kontaktova personalisht kirurgun për t’i shprehur shqetësimin tim.

Pas kësaj pasoi operacioni i tretë. Këtë herë na shpjeguan se kishte ndodhur hapja e bashkimit të zorrës, përkatësisht dështimi i anastomozës. Gjatë këtij operacioni, nënës sime iu vendos stomë. Tri operacione të mëdha abdominale në më pak se dy javë.

Pas disa ditësh në kujdesin intensiv, nëna ime u kthye në katin e katërt, në Repartin e Kirurgjisë Digjestive. Qëndroja pranë saj aq sa më lejohej. Një ditë, pak kohë pas kthimit nga kujdesi intensiv, nëna ime filloi të dridhej fort, të nxihej dhe gjendja e saj po përkeqësohej dukshëm. Përsëri kërkova ndihmë.

Vrapoja nëpër korridore dhe bërtisja se diçka serioze po ndodhte dhe se nëna ime mund të vdiste nëse askush nuk reagonte. Më në fund gjeta një mjek në korridor. Tensioni i gjakut i nënës sime ishte rreth 220/150, ndërsa pulsi afërsisht 155”, shpjegon 39-vjeçarja I.A.

Menjëherë pas reagimit të vajzës u konstatua se pacientja nuk po merrte rregullisht terapinë për tensionin e gjakut dhe diabetin. Ajo vuante edhe nga diabeti.

“Në vend që të shtrohej pyetja se përse terapia nuk ishte administruar dhe kontrolluar, personeli e pyeste nënën time se përse nuk i kishte pirë vetë tabletat. Madje edhe e qortuan. Tabletët i kishin lënë në dollap. Nëna ime në atë moment ishte praktikisht e palëvizshme, me drenazhe, kateter, stomë dhe me gjendje shëndetësore seriozisht të rënduar.

Si mund të pritej që një paciente në atë gjendje ta organizonte dhe ta merrte vetë terapinë? Vura re se as niveli i sheqerit në gjak nuk po kontrollohej dhe matjej rregullisht. Bleva një aparat timin dhe fillova t’ia matja vetë. Në një moment, rezultati ishte 23 mmol/L.

Unë, vajza e saj, pa asnjë arsimim mjekësor, u detyrova të kujdesesha për monitorimin bazë të gjendjes së saj shëndetësore, ndërkohë që ajo ishte e shtruar në spital. Në një institucion shëndetësor! Përsëri pyesja veten: çfarë do të ndodhte nëse unë nuk do të isha aty?”, vazhdon rrëfimin 39-vjeçarja I.A. për agoninë që kaloi nëna e saj.

Ajo tregon se kishte insistuar të paguante një shumë shtesë, në mënyrë që pacientja të transferohej në një dhomë ku mund të qëndronte edhe një familjar.

Pranon se kishte frikë ta linte nënën vetëm, edhe pse ajo ndodhej në spital. Por ajo që e kishte frikësuar edhe më shumë ishte fakti se në dokumentacionin mjekësor të nënës kishte vërejtur rezultate dhe dokumente të përziera me ato të një pacienti tjetër.

“Si është e mundur që dokumentacioni mjekësor i dy pacientëve të përzihet, sidomos kur bëhet fjalë për grupet e gjakut dhe transfuzionin?

Çfarë rreziqesh krijon një lëshim i tillë për pacientët?

Disa ditë më vonë vura re se plaga kirurgjikale në barkun e nënës sime kishte filluar të hapej dhe se prej saj dilte përmbajtje. Përsëri alarmova. Më thanë se kjo ishte normale. Përsëri e njëjta përgjigje: gjithçka është normale, më thoshin të gjithë!

Por gjendja përkeqësohej nga dita në ditë. Plaga hapej gjithnjë e më shumë, kishte rrjedhje dhe nëna ime filloi të kishte edhe temperaturë të lartë. Vëreja ndryshime në indet e plagës, të cilat më dukeshin si nekrozë. Nuk jam mjeke, por shihja se diçka serioze nuk ishte në rregull.

Përsëri kërkoja kirurgun. Përsëri kërkoja infermieret. Përsëri lutesha që dikush ta kontrollonte. Ndërkohë, isha dëshmitare e sjelljeve që mezi mund t’i përshkruaj”, rrëfen ajo.

PLAGË E HAPUR ABDOMINALE – BETEJË PËR JETËN

72-vjeçarja, tashmë në javën e tretë të qëndrimit në spital, po luftonte për jetën. Sipas vajzës së saj, jeta e pacientes varej në fije të perit, si pasojë e gabimeve të mundshme mjekësore, neglizhencës dhe trajtimit të papërshtatshëm. Plaga kirurgjikale kishte filluar të shkatërrohej, ishte nxirë dhe kishte inde të dëmtuara.

“Pas kontakteve të mia të përsëritura personale me kirurgun, ai më në fund erdhi për ta kontrolluar. Rreth orës tetë të mëngjesit e hapi plagën kirurgjikale.

Plaga dukej e zezë, me rrjedhje dhe me inde dukshëm të dëmtuara.

Kirurgu u largua, ndërsa plaga mbeti e hapur. Pastaj filloi pritja prej disa orësh.

Kemi pritur plot pesë orë që dikush të vinte dhe t’ia bënte fashimin. Kërkoja infermieret. Më thoshin të prisja. Nëna ime qëndronte e shtrirë me plagën e hapur abdominale, me dhimbje dhe djegie, ndërsa unë, e pafuqishme, përpiqesha të siguroja kujdesin bazë mjekësor.

Për pesë deri në gjashtë orë. Pritja zgjati me orë të tëra, ndërsa në një rast rreth shtatë orë. Nëna ime ishte në agoni. Unë përsëri pyesja veten se si ishte e mundur që diçka e tillë të ndodhte në një spital, në një repart ku qëndrojnë pacientë pas ndërhyrjeve të rënda kirurgjikale”.

Më 24 shtator, pasi nuk mund ta përballonin më gjithë tmerrin e përjetuar në Repartin e Kirurgjisë Digjestive në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, familjarët vendosën se e vetmja mënyrë për t’ia shpëtuar jetën ishte ta nxirrnin nga ai institucion, siç shprehen ata, nga ai ferr.

“Në një moment kuptova se nuk mund të prisja më. Isha e bindur se nëse nëna ime do të qëndronte aty, nuk do të mbijetonte. Askush tjetër, përveç nesh, familjarëve, nuk dukej veçanërisht i shqetësuar se pacientja po vdiste.

E lashë për pak kohë dhe shkova personalisht në spitalin privat.

U thashë se kisha frikë që nëna ime nuk do të mund ta përballonte as edhe një ditë tjetër në spitalin ku ishte trajtuar deri atëherë. Organizuam transportin dhe nëna ime u transferua.

Pas pranimit, na informuan për probleme serioze me infeksionet, përfshirë plagën kirurgjikale dhe problemet që lidheshin me qasjen venoze qendrore dhe kateterin. Na thanë se kishte kontaminim në disa pjesë dhe se gjendja ishte kërcënuese për jetën. Na u tha se ishte i domosdoshëm operacioni i katërt”, rrëfen I.A.

Në dokumentet e siguruara nga spitali privat thuhet se kishte probleme serioze me mbylljen dhe gjendjen e murit abdominal.

Nga një polip beninj, pacientja kishte përfunduar në katër operacione, me stomë, infeksione të rënda, inde të nekrotizuara dhe një betejë të vërtetë për jetën.

“Operacioni i katërt i madh brenda një periudhe prej tri javësh. Gjatë ndërhyrjes u hoqën indet e nekrotizuara nga plaga abdominale, përfshirë edhe kërthizën, ndërsa u vendos terapia VAC.

Na thanë se trajtimi do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm. ‘Nuk e dimë nëse do të mbijetojë, por do të bëjmë gjithçka që mundemi’, na thanë. Ne u përgjigjëm se do të gjenim një zgjidhje. Në atë moment e vetmja gjë që kishte rëndësi për ne ishte që nëna ime të mbijetonte.

Pas rreth gjashtë javësh trajtim, nëna ime më në fund u stabilizua dhe mbijetoi.

Por çmimi ishte i jashtëzakonshëm. Jo vetëm financiarisht, por edhe fizikisht dhe psikologjikisht. Një grua që para operacionit ishte e pavarur dhe lëvizte pa ndihmë, pas gjithë kësaj mbeti aq e dobësuar saqë nuk mund të qëndronte në këmbë dhe as të ecte vetë. Rikuperimi i saj vazhdon ende, ndërsa pasojat në cilësinë e jetës janë të mëdha”, thotë 39-vjeçarja.

“Fokus” i dërgoi disa pyetje lidhur me këtë rast edhe në adresën zyrtare elektronike të Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, por deri në mbylljen e numrit të së përjavshmes nuk mori përgjigje nga institucioni.

FERRI I TRAJTIMIT

39-vjeçarja, e cila ishte dëshmitare e të gjitha ngjarjeve të rënda në Repartin e Kirurgjisë Digjestive në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, thotë se, pavarësisht faktit që nëna e saj u çua deri në prag të vdekjes, ajo ende nuk arrin ta kuptojë se si kërkesat e saj për ndihmë u injoruan nga personeli mjekësor.

“Sa herë infermieret më bërtitën, ndërkohë që nëna ime ishte në agoni. Kjo nuk është vetëm çështje e gabimeve të mundshme kirurgjikale. Për këtë duhet të prononcohen ekspertë të pavarur mjekësorë.

Kjo është çështje e kujdesit bazë që çdo pacient duhet ta marrë në një institucion shëndetësor.

Bëhet fjalë për monitorimin e parametrave jetësorë, administrimin me kohë të terapisë, kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, higjienën, fashimin e plagëve, reagimin ndaj përkeqësimit të gjendjes, qasjen në personelin mjekësor dhe trajtimin me dinjitet të të sëmurëve.

Dhe, mbi të gjitha, për mënyrën se si është e mundur që një familje të detyrohet të lutet për ndihmën më elementare mjekësore”, shpjegon vajza e tronditur.

Ajo thotë se disponon fotografi, dokumentacion mjekësor, komunikime me mjekët dhe dëshmi personale për ngjarjet konkrete.

“Jam e gatshme t’i dorëzoj të gjitha dëshmitë relevante dhe të flas në detaje për secilin prej këtyre rasteve.

Por, çfarë ndodh me pacientët, familjet e të cilëve nuk janë aty për të alarmuar, për të kërkuar, për t’u lutur dhe për të luftuar për ta?

Dhe sa prej tyre nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një spital privat kur humbin besimin në institucionin publik shëndetësor?”, pyet 39-vjeçarja I.A.

https://fokus.mk/od-benigen-polip-do-pred-smrtna-postela/

You Might Also Like

Byzylyku elektronik për dhunuesin, alarm për viktimën – kush do ta garantojë sigurinë e saj?

Me subvencione bliheshin traktorë, e më pas shiteshin

Kriza e automobilave në Evropë po ndryshon edhe industrinë e vendit tonë

Kompani me zero të punësuar dhe pronarë me lidhje politike, 224 milionë euro borxhe për tatime dhe kontribute

Siljanovska-Davkova nga Dublini: Evropa nuk duhet të lejojë të mbetet e pamjaftueshme e lidhur me Ballkanin Perëndimor

Share This Article
Facebook Twitter Email Print
Previous Article Siljanovska-Davkova nga Dublini: Evropa nuk duhet të lejojë të mbetet e pamjaftueshme e lidhur me Ballkanin Perëndimor
Next Article Kompani me zero të punësuar dhe pronarë me lidhje politike, 224 milionë euro borxhe për tatime dhe kontribute
Leave a comment

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.

Stay Connected

FacebookLike
TwitterFollow
YoutubeSubscribe
TelegramFollow
- Advertisement -
Ad imageAd image

Latest News

Byzylyku elektronik për dhunuesin, alarm për viktimën – kush do ta garantojë sigurinë e saj?
Maqedoni
Me subvencione bliheshin traktorë, e më pas shiteshin
Maqedoni
Kriza e automobilave në Evropë po ndryshon edhe industrinë e vendit tonë
Maqedoni
Kompani me zero të punësuar dhe pronarë me lidhje politike, 224 milionë euro borxhe për tatime dhe kontribute
Maqedoni

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit “Argument”.

Quick Link

  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar

Sign Up for Our Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

© 2026. ANET.COM.MK - All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?