Shkup, 3 prill, argument.mk/ – Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi sot përjashtimin nga Kuvendi për 60 ditë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në kërkesën drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, deputetët demokratë argumentojnë se Taulant Balla, në mënyrë të vazhdueshme, ka fyer dhe kërcënuar deputetet gra të grupit parlamentar demokrat.
Në kërkesën e grupit parlamentar të PD-së thuhet se “në seancën e djeshme parlamentare ndërkohë që deputetja Elda Hoti kërkonte nga deputetja Bora Muzhaqi që të ndërpriste fjalën, pasi ishte radha e saj për të folur, e mohuar padrejtësisht nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla, është ngritur në këmbë dhe i është drejtuar me disa shprehje fyese dhe kërcënuese deputetes Hoti”.
“Kjo gjuhë fyese, ofenduese, diskriminuese dhe kërcënuese ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i cili ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi të marrë masën disiplinore të përjashtimit nga seanca plenare ndaj deputetit Taulant Balla. Në kushtet e refuzimit për marrjen e masës disiplinore, seanca është ndërprerë dy herë dhe më pas është kaluar në votimin e projektligjeve pa diskutim, në shkelje flagrante të lirisë së shprehjes të deputetëve të regjistruar për të folur, të garantuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit. Po gjatë të njëjtës seancë, deputeti Taulant Balla ka përdorur gjuhë jo parlamentare dhe që cenon dinjitetin ndaj deputetit Fatmir Mediu”, thuhet në kërkesë.
Sipas deputetëve të opozitës kjo gjuhë dëmton rëndë reputacionin dhe besimin e qytetarëve tek Kuvendi dhe përhap një mesazh të papranueshëm në raport me vajzat dhe gratë.
“Kjo sjellje është e përsëritur, pasi në seancën plenare të datës 5 mars 2026, deputeti Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe seksiste edhe ndaj deputetes Albana Vokshi. Në këtë kuptim, kjo kërkesë synon që nëpërmjet ndëshkimit disiplinor të parandalojë përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit, kërkojmë marrjen e menjëhershme të masës disiplinore ;“Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 60 ditë ndaj deputetit Taulant Balla”, theksohet në shkresën e grupit parlamentar të PD-së.

