Votat përfundimtare janë ende duke u numëruar dhe rezultati nuk pritet të publikohet deri vonë, por televizioni shtetëror parashikon që Alexander Lukashenko të fitojë me pothuajse 88% të votave.
Ndërsa Bashkimi Evropian ka kërcënuar me sanksione të reja ndaj Bjellorusisë pasi Lukashenko duket i sigurt se do të shënojë fitoren e tij të shtatë radhazi në zgjedhje që nga viti 1994.
“Zgjedhjet e rreme të sotme në Bjellorusi nuk kanë qenë as të lira dhe as të drejta”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas në një deklaratë të përbashkët me komisioneren e zgjerimit, Marta Kos.
“Shtypja e pamëshirshme dhe e paprecedentë e të drejtave të njeriut, kufizimet për pjesëmarrjen politike dhe aksesin në mediat e pavarura në Bjellorusi, e kanë privuar procesin zgjedhor nga çdo legjitimitet”, thuhet në deklaratë.
Ndër tjera, Kallas dhe Kos thanë se vendimi për të ftuar vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vetëm 10 ditë më parë e pengoi grupin të monitoronte procesin e plotë zgjedhor.
“Për këto arsye, si dhe përfshirjen e regjimit bjellorus në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe sulmet e saj hibride kundër fqinjëve të saj, BE do të vazhdojë të vendosë masa kufizuese dhe të synuara kundër qeverisë bjelloruse”, njoftuan zyrtarët e BE-së.
Por, ata nuk dhanë më shumë detaje se çfarë do të synonte paketa e re eventuale e sanksioneve ose kur do të zbatohej.
“Populli i Bjellorusisë nuk kishte zgjidhje tjetër. Është një ditë e hidhur për të gjithë ata që dëshirojnë lirinë dhe demokracinë”, tha Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock në një postim në X.
Ministri i Jashtëm i Polonisë Radoslaw Sikorski shprehu habinë që “vetëm” 87.6% e elektoratit votuan për Lukashenkon, në një postim të paqartë në X.
“A do të futen pjesa tjetër në burgje?”, pyeti ai.
Ndryshe, fitorja e Lukashenkos në zgjedhjet e vitit 2020 u hodh poshtë gjithashtu si një mashtrim nga Perëndimi dhe rezultati shkaktoi javë protestash të gjera në të gjithë vendin.
Kjo shkaktoi një goditje brutale nga forcat e sigurisë dhe çoi në 65,000 arrestime.

