Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ka urdhëruar ushtrinë izraelite të ndërmarrë një operacion në Bregun Perëndimor të okupuar, pasi tre autobusë bosh shpërthyen në atë që Izraeli e quan një sulm terrorist pranë Tel Avivit.
Nuk pati viktima dhe askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për shpërthimet, të cilat ndodhën kur pajisjet shpërthyese të vendosura në automjetet bosh u aktivizuan me pak diferencë kohore në qytetet Bat Jam dhe Holon, në jug të qendrës financiare të Izraelit.
Ndërkohë, një pajisje shpërthyese që nuk ishte aktivizuar u gjet në një autobus të katërt, njoftoi policia.
Izraeli ka forcuar masat e sigurisë dhe ka pezulluar trafikun e autobusëve dhe trenave në mbarë vendin pas shpërthimeve, të cilat në një deklaratë nga zyra e kryeministrit u quajtën “përpjekje për të kryer një seri sulmesh masive me bomba në autobusë”.
Pas një takimi me ministrin e Mbrojtjes, shefin e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe zyrtarë të lartë të sigurisë dhe policisë, lideri izraelit “urdhëroi IDF-në të kryejë një operacion intensiv kundër qendrave të terrorizmit” në Bregun Perëndimor.
“Kryeministri gjithashtu urdhëroi policinë izraelite dhe (Agjencinë e Sigurisë së Izraelit) të forcojnë aktivitetet parandaluese kundër sulmeve të mëtejshme në qytetet izraelite”, shtohet më tej në deklaratë.
Shpërthimet e autobusëve ndodhën vetëm disa orë pasi grupi palestinez Hamas dorëzoi katër trupa të pajetë të pengjeve izraelite.
Trupat u dorëzuan si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim të arritur muajin e kaluar, e cila javët e fundit duket e paqëndrueshme, ndërsa Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes.
Izraeli e akuzoi të enjten Hamasin për shkelje të marrëveshjes, pasi ky i fundit dorëzoi mbetjet mortore në një arkivol të vetëm, për të cilat u konstatua se nuk përputheshin me asnjë nga pengjet.
Ndryshe, Forcat Mbrojtëse të Izraelit nisën një fushatë të madhe – “Operacioni Muri i Hekurt” – të fokusuar në veriun e Bregut Perëndimor muajin e kaluar, vetëm dy ditë pasi filloi armëpushimi në Gaza, duke deklaruar se synimi ishte eliminimi i “terroristëve dhe infrastrukturës terroriste” si dhe “sigurimi që terrorizmi të mos rikthehet” pas përfundimit të tij. Operacioni ka zhvendosur të paktën 40 mijë palestinezë nga veriu i Bregut Perëndimor nga shtëpitë e tyre, sipas të dhënave të OKB-së.
Agjencia deklaroi se vetëm këtë vit, Bregu Perëndimor ka pësuar 38 sulme ajrore, me një përdorim gjithnjë e më të shpeshtë të armëve të avancuara dhe shpërthimeve të kontrolluara, duke shënuar një “përhapje të luftës nga Gaza”. /Telegrafi/