Gjatë tre muajve të parë të vitit 2025, shtetet anëtare të NATO-s i ofruan Ukrainës ndihmë ushtarake në një shumë totale që tejkalon 20 miliardë dollarë amerikanë.
Kjo ndihmë përfshin dërgimin e armatimeve të avancuara, municioneve, pajisjeve mbrojtëse dhe ndihmës logjistike, duke synuar forcimin e aftësive mbrojtëse të Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.
Këtë informacion e bëri të ditur për mediat Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një konference për shtyp të mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai theksoi se aleanca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Ukrainën, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe për të mbështetur stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit në këto kohë të vështira.
“Pamë shifrat më të fundit që tregojnë se aleatët e NATO-s kanë ofruar mbi 20 miliardë dollarë mbështetje për Ukrainën në tre muajt e parë të vitit, për t’u siguruar që ata të mund të vazhdojnë luftën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Rutte.
Duke iu drejtuar Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Rutte e falënderoi atë për “diplomacinë e tij të palodhur”, e cila ka luajtur një rol kyç në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën dhe forcimin e bashkëpunimit brenda aleancës.
“Gjatë muajve të fundit keni udhëtuar në mbarë botën, duke negociuar dhe siguruar mbështetje për partnerët tanë. Gjithashtu dua t’ju falënderoj për atë që keni bërë më herët si senator, duke mbështetur NATO-n, dhe do të kemi shumë për të diskutuar në dy ditët e ardhshme”, tha Rutte.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe koordinimit midis vendeve anëtare të NATO-s për të përballuar sfidat e sigurisë dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme për Ukrainën në një kohë kur situata në front mbetet e tensionuar.