Tashmë është bërë një vit prej kur është marrë një vendim i prerë prej dhomave të specializuara të Kosovës në rastin për ish-kreun e UÇK-së, Salih Mustafa, por ende nuk ka një konfirmim nëse kanë filluar procedurat e zgjedhjes së shtetit të tretë, ku Salih Mustafa do ta vuajë dënimin.
Çështja e vuajtjes së dënimit në një shtet të tretë përcaktohet nga vetë gjykata dhe është e rregulluar përmes një rregulloreje të veçantë.
“Deri më tani ende nuk e kemi marrë një marrëveshje të tillë, qoftë me Calin ose me të tjerët që kanë bërë vuajtje të dënimit, sepse të tjerët e kanë përfunduar dënimin. Tani, varësisht prej rregullimeve që bën Gjykata Speciale, që ka një sërë kriteresh, mund të japë mendime edhe avokatët dhe vetë i akuzuari, nëse nuk do të shkojnë në një vend tjetër [por nuk është determinues, gjykata është ajo që vendos, varësisht prej marrëveshjes që mund të arrijë me një shtet përkatës”, ka thënë avokati Taulant Hodaj.
Amer Alija nga Fondi për Drejtësi Humanitare, shpjegon se procedura e dërgimit për vuajtjen e dënimit nuk do të pezullohet, pavarësisht asaj se po shqyrtohen ankesa të tjera në shkallën e tretë në rastin e Salih Mustafës.
“Rasti i Salih Mustafës ka përfunduar me marrjen e vendimit nga shkalla e dytë, vendimi i plotfuqishëm, i dënuar me 15 vjet burgim. Kryetarja e dhomave të specializuara vazhdon me shtetet e interesuara, shtetet kontribuuese dhe shtetet të cilat kanë interesim të pranojnë të dënuarin dhe do të vendosë se në cilin shtet do ta vuajë dënimin. Deri në këtë moment, ne nuk kemi marrë ndonjë vendim nga dhomat e specializuara dhe në rastin e marrjes së një vendimi të tillë, vendimi nuk mund të apelohet nga asnjë palë. Tani po shohim me kërkesën në shkallën e tretë, ankesa në Gjykatën Kushtetuese, këtë veprim procedural nuk e pezullojnë këtë procedurën e brendshme për dërgimin për vuajtjen e dënimit, për arsyen se në rastin e vendosjes nga shkalla e dytë, vendimi është bërë i plotfuqishëm. Ne kemi parë që kjo procedurë kundër Salih Mustafës është kthyer shpesh nga shkalla e tretë në shkallën e dytë për vlerësimin e dënimit dhe të gjitha këto vlerësime të dënimit nuk e kanë bërë vendimin e plotfuqishëm dhe tani së fundmi, kur është marrë vendimi i fundit për 15 vjet burgim, ai është bërë i plotfuqishëm.”
RTK ka pyetur në Dhomat e Specializuara nëse ka një vendim për caktimin e shtetit se ku Salih Mustafa do ta vuajë dënimin. Por, gjatë ditës nuk mori përgjigje.
Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Ai është dënuar për “krime lufte”, me 22 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara, por më pas Apeli e kishte zbritur dënimin në 15 vjet dënim me burgim.