Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se, projektligji për anulimin e masave administrative është plotësisht në të njëjtën linjë me plot nisma të ngjashme të ndërmarra në disa vende të BE-së.
Në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku po diskutohet projektligji “Për anulimin e masave administrative”, Balla tha se, “duhet vlerësuar si një praktike e mirë që Kuvendi, një grup parlamentar ngre një grup pune, i cili punon për një periudhë të gjatë, pothuajse 2-vjeçare për të hartuar një politikë të tillë”.
Balla shprehu si përfaqësues i Këshillit të Ministrave dakordësinë në parim se ai përket miratimit të këtij projektligji.
Balla theksoi se, ky pr/ligj për anulimin e masave administrative kërkon shfuqizim të disa masave të paekzekutuara të vendosura nga inspektoratet përkatëse në të gjithë territorin e vendit, me një theks të veçantë në ndërhyrje në objekte banimi apo objekte që lidhen kryesisht me aktivitete bujqësore edhe blegtorale.
“Nisma për anulimin e masave administrative të paekzekutuara, nuk është një nismë që nuk gjendet në vende të tjera dhe këtu i referohem kryesisht vendeve të BE-së. E gjej nismën plotësisht në të njëjtën linjë me plot nisma të ngjashme të ndërmarra në disa vende të BE-së dhe kjo nismë është pothuajse e njëjtë me një nismë të ngjashme të marrë në Itali dhe në Francë, sa i përket shkeljeve që ato i quajnë të vogla administrative, ku janë zbatuar anulim masash të ngjashme të lidhura dhe me ndërtimet e vogla pa leje, duke synuar, siç thotë për shembull parlamenti italian për uljen e barrës financiare me qytetarët”.
Po ashtu, shtoi Balla, “masa të ngjashme janë marrë nga parlamenti gjerman dhe ai spanjoll gjatë pandemisë COVID-19. Në fakt edhe Kuvendi i Shqipërisë, përmes një akti normativ në vitin 2020 ka bërë të njëjtën ndërhyrje, që lidhet me mosrespektimin e masave, faljen apo reduktimin për të ulur presionin mbi qytetarët dhe biznesin”.
“Sa i përket nxitjes së formalizimit në zonat rurale, kryesisht në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, Hungaria dhe Polonia, në të njëjtën frymë me propozimin që vjen nga grupi parlamentar i PS dhe nga kolegu Erion Braçe, kanë zbatuar politika për faljen e gjobave ndaj subjekteve rurale për ndërtimet ose aktivitet e tyre në shkëmbim të një formalizmi të mëvonshëm”, tha Balla.
“Falje gjobash të papaguara të vjetra”, shtoi Balla, “kanë ndërmarrë edhe vende si Portugalia apo Greqia, të cilët kanë zbatuar skema ku gjobat e vendosura përtej një periudhe të caktuar nëse nuk janë ekzekutuar falen për të shmangur koston administrative të ndjekjes”.
Balla theksoi edhe parimin e parashkrimit.
Sipas ministrit, parimi i parashkrimit për masat administrative është dyvjeçar, ndaj pr/ligij bie tërësisht në linjën e një standarti të vendosur nga parlamentet e vendeve te BE, ndërsa sugjeroi disa saktësime.
“Në këtë kontekst unë sa i përket shprehjes në parim sepse për këtë jemi këtu, dua të shpreh dakordësinë e qeverisë për miratimin e këtij pr/ligji. Dhe ndërkohë në komunikim me Ministrinë e Drejtësië do të sugjeronim disa saktësime të natyrës të teknikës legjislative. Me qëllim që qoftë në titullin e ligjit, pra do të ishte mirë që anulimi i masave administrative të shoqërohej dhe me identifikimin e karakterit ndëshkues të vendosur ndaj subjekteve që ushtrojnë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë që mos ketë një karakter të përgjithshëm dhe që mund të përdoret për qëllime të tjera, por të identifikohet plotësisht sektorët në të cilat ndërhyhet. Dhe po ashtu sa i përket teknikës legjislative, idea është që në nenin 1 të përcaktohet qëllimi i ligjit, pra në fakt neni 1 është i tillë, por në formën që e kërkon dhe teknika legjislative neni 1 të jetë qëllimi i ligjit, neni 2: cilat janë kriteret për faljen administrative që në fakt janë të përcaktuar të gjitha në draftin përkatës dhe në këtë mënyrë e vendosim pr/ligjin në formën që kërkon edhe kodifikimi” saktësoi ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.