Komisioni i posaçëm parlamentar Antikorrupsion miratoi sot përbërjen e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë që do të analizojnë dhe konsultojnë ndryshimet e nevojshme në kuadër të konsolidimit të Reformës në Drejtësi.
Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj bëri të ditur se në përbërje të grupit të ekspertëve do të jenë pedagogë, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve të pavarura dhe komunitetit të biznesit, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, si dhe konsulentë të jashtëm.
Xhafaj informoi mbi procesin e analizës së komponentit 3, që ka të bëjë me “Konsolidimin e reformës në drejtësi”.
“Rezoluta e Kuvendit për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në BE, e miratuar në 27 maj të këtij viti ka përcaktuar se ajo vlerëson reformën në drejtësi si një prej lëvizjeve më të mëdha shtetndërtuese në historinë e shtetit shqiptar, duke çmuar zbatimin e saj një domosdoshmëri për zbatimin e parimit themelor të ndarjes dhe balancimit ndërmjet tre pushteteve”, tha Xhafaj.
Po ashtu, Xhafaj theksoi se Reforma në Drejtësi garanton një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent, eficient, profesional dhe barabartë për të gjithë qytetarët.
Xhafaj theksoi se “rezoluta synon të garantojë pakthyeshmërinë e Reformës në Drejtësi”.
“Ajo synon konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe rritjen e eficiencës së sistemit të drejtësisë, duke ruajtur parimet dhe shtyllat kushtetuese të Reformës në Drejtësi të miratuar në vitin 2016, për të fuqizuar pavarësinë dhe paanësinë e pushtetit gjyqësor si dhe që synon njëkohësisht nxitjen e cilësisë së vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë përmes forcimit të integritetit, llogaridhënies, transparencës dhe eficiencës sipas rekomandimeve të BE-së”, tha Xhafaj.
Xhafaj po ashtu informoi se lidhur me komponentin e konsolidimit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit është përgatitur një dokument i cili është konsultuar edhe me misionet e asistencës ndërkombëtare që monitorojnë, asistojnë dhe mbështesin institucionet e drejtësisë dhe i gjithë procesi tashmë është përmbyllur.
“Drafti është konsultuar edhe me ekspertizën ndërkombëtare dhe është dakordësuar se përgjithësisht ruan të njëjtat linja në strukturën e vet me ato të miratuara në progres-raportet e BE-së”, tha ai.
Në këtë kontekst, Xhafaj theksoi se Kuvendi duhet të vazhdojë procesin, pasi duhen reflektuar rekomandimet e dhëna nga progres-raportet e Bashkimit Europian.
“Janë rreth 41 masa të përcaktuara në udhërrëfyesin për shtetin e së drejtës dhe 59 masa që përcaktojnë rolin e Kuvendit në udhërrëfyesin e funksionimit të institucioneve demokratike. Kuvendi e ka të domosdoshme të kryejë kontrollin post legjislativ. Po ashtu vetë institucionet e drejtësisë kanë paraqitur pranë Kuvendit një sërë propozimesh për ndryshime ligjore. Janë rreth 140 amendamente të propozuara prej tyre për ndryshime në kuadrin ligjor përkatës përfshi edhe ndryshime kushtetuese. Janë këto 3 arsye të forta që imponojnë një proces të tillë që kanë të domosdoshëm një analizë si dhe konsultim të gjerë mbi ndryshimet e mundshme. Ndaj komisioni duhet të ngrejë një grup pune me ekspertë vendas dhe ndërkombëtar”, tha Xhafaj.