Ato kanë emra vështirë të shqiptueshëm; janë thelbësore për prodhimin modern dhe po zhvendosen gjithnjë e më në qendër të luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Furnizimi global me këto minerale të rralla – një grup prej 17 elementeve thelbësore që gjenden gjithkund, nga bateritë e automjeteve elektrike e deri te teknologjia e rëndësishme e mbrojtjes – kontrollohet kryesisht nga Kina.
Pekini tani po kërkon ta përdorë këtë përparësi strategjike në përplasjet e vazhdueshme dhe tensionet tregtare me Uashingtonin.
Duke u përgjigjur ndaj tarifave të vendosura së fundi nga Shtetet e Bashkuara, Kina i kufizoi shitjet në SHBA për shtatë elemente të rralla. Edhe pse nuk është ndalim i plotë, kjo masë u kërkon prodhuesve të aplikojnë për licenca eksporti në Qeverinë kineze.
“Ajo që ishte nafta për shekullin e XX-të, janë mineralet e rralla për shekullin e XXI-të”, tha Sean McFate, profesor në Shkollën Maxwell të Universitetit Syracuse për Shtetësi dhe Çështje Publike.
“Mikroçipat, teknologjia e gjelbër dhe informatika kuantike, të gjitha këto, kërkojnë minerale të rralla, dhe Kina i ka shumicën e tyre. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare që shkon përtej tregut të aksioneve”, shtoi ai.
Kina kontrollon më shumë se dy të tretat e prodhimit global të elementeve të rralla dhe mbi 90 për qind të kapacitetit të përpunimit.
Mbetet për t’u parë si do t’i zbatojë Kina këto kufizime të reja, por një raport nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington paralajmëron se ato me gjasë do të shkaktojnë ndërprerje të eksporteve, derisa Pekini ta sjellë sistemin e licencimit, dhe do të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit për disa kompani amerikane, veçanërisht ato në sektorin e sigurisë kombëtare.
“Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht të cenueshme ndaj këtyre zinxhirëve të furnizimit”, thuhet në raportin e 14 prillit. “Aktualisht, nuk ka ndarje të mineraleve të rënda të rralla në SHBA”.
Si po i kufizon Kina mineralet e rralla?
Kufizimet e reja të eksportit zbatohen për shtatë elemente të rralla, të mesme dhe të rënda: samarium, gadolinjium, terbium, disprosium, lutetium, skandium dhe itrium – të gjitha të rëndësishme në sektorin e mbrojtjes.
Itriumi, për shembull, përdoret si mbështjellës për motorët e avionëve për t’i bërë ballë temperaturave të larta, për ta parandaluar shkrirjen e tyre gjatë fluturimit.
Derisa Pentagoni dhe firmat amerikane kanë rezerva, besohet se ato nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar ndonjë ndërprerje të zgjatur të furnizimit. Përveç ndalimit të vetë elementeve, Pekini ka vendosur gjithashtu 16 entitete amerikane – të gjitha përveç njërës janë në industrinë e mbrojtjes dhe hapësirës – në listën e tij të kontrollit të eksportit, duke ua kufizuar atyre pranimin e mallrave me përdorim të dyfishtë, përfshirë elementet e rralla.
”Është e rëndësishme të kihet parasysh se shumica e importuesve kanë pasur këtë shqetësim prej kohësh dhe ka mundësi të jenë furnizuar për të paktën disa muaj”, tha ai.
Megjithatë, këto masa dhe mundësia për t’i përshkallëzuar ato janë mjet i fuqishëm për Kinën.
Përveç aftësisë për t’i ndalur furnizimet, mbizotërimi i tregut nga Pekini ia lejon atij gjithashtu t’i diktojë çmimet, që do të thotë se mund t’i rrisë kostot për klientë të caktuar, ose t’i kufizojë furnizimet me minerale të rralla jashtë kontrollit të saj, duke mbajtur çmime të ulëta.
Prej atëherë, çmimet janë rritur ndjeshëm dhe tregu global është fragmentuar. Galiumi i blerë nga vendet perëndimore është dy deri në tre herë më i shtrenjtë se ai i blerë në Kinë, sipas Project Blue.
Raporti i CSIS-it gjithashtu paralajmëron se e eksportit nga Kina paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për gatishmërinë ushtarake të SHBA-së, duke shtuar shqetësimet e ngritura nga ligjvënësit dhe analistët se vendi po mbetet pas në prodhim në mbrojtje.
“Edhe para kufizimeve të fundit, baza industriale e mbrojtjes në SHBA luftonte me kapacitet të kufizuar dhe nuk kishte aftësinë për të rritur prodhimin për të përmbushur kërkesat teknologjike të mbrojtjes”, thuhet në raport.
Si mund të përgjigjet SHBA-ja?
Përballë trysnisë nga Kina, ekspertët thonë se SHBA-ja duhet të ndërmarrë politika për ta shtuar prodhimin vendës dhe të kërkojë burime të reja në vende të tjera.
Qysh në vitet e ’80-ta, SHBA-ja ishte lider në prodhimin e elementeve të rralla, por rritja e çmimeve çoi në mbylljen e minierës kryesore, Mountain Pass, në Kaliforni në fillim të viteve 2000.
Kjo minierë është rihapur më pas dhe administrata të njëpasnjëshme amerikane, përfshirë atë të presidentit Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë, kanë ndarë të holla për nxjerrjen dhe përpunimin e elementeve të rralla.
Disa që punojnë në këtë sektor thonë gjithashtu se pjesë të tjera të tarifave të vendosura nga Trump mund të kenë ndikime të dëmshme anësore, duke e bërë të vështirë rritjen e shpejtë të prodhimit.
Në podkastin “Rare Earth Exchanges”, sipërmarrësi i industrisë, Daniel O’Connor, tha se materialet e tarifuara, si çeliku dhe alumini, janë jetike në miniera dhe përpunim.
“Mos vendosni tarifa për gjërat që na duhen për të ndërtuar infrastrukturën”, tha ai.
SHBA-ja po kërkon gjithashtu të sigurojë furnizime jashtë vendit, pasi administrata Trump synon të ketë më shumë qasje te elemente të rralla dhe mineralet jetike në Grenlandë dhe Ukrainë, ku Kievi dhe Uashingtoni thuhet se janë afër një marrëveshjeje.
Ndërkohë, pritet që Pekini të vazhdojë të përdorë elementet e rralla si mjet trysnie ndaj Uashingtonit.
“Kjo është bërë pjesë e strategjisë së Pekinit kur përballet me SHBA-në”, shkroi më 14 prill Neil Shearing, ekonomist i grupit Capital Economics.

