Shkup, 12 nëntor, argument.mk/ – Blerim Sejdiu nga VLEN sot në konferencë për shtyp tha se BDI-ja ka qenë arsyeja për hyrjen e projekteve serbe në Maqedoni. Ai përmendi Alta Bankën, Daka Davidoviqin, MTel-in si dhe projekte tjera, që sipas VLEN-it, me mbështetje të BDI-së kanë hyrë në Maqedoni.
Sejdiu i bëri thirrje kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, që të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë.
Në vijim, ua përcjellim komunikatën e plotë:
1. ALTA BANKA – DOKUMENTET FLASIN!
Ministrat e BDI-së në Qeveri kanë propozuar dhe mbështetur vendime që mundësuan bashkëpunimin ndërmjet shtetit dhe Alta Bankës nga Beogradi. Opinioni publik ka të drejtë të dijë se cilat kanë qenë motivet e këtyre vendimeve dhe çfarë interesash kanë qëndruar prapa tyre.
2. DAKA DAVIDOVIQ NË TETOVË!
BDI ishte pjesë e pushtetit që i hapi rrugë projektit të Daka Davidoviqit në Tetovë. Bëhet fjalë për një person i cili më vonë u përfshi në listën e sanksioneve amerikane, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe aktivitete të paligjshme.
3. MTEL – OPERATORI SERB NË MAQEDONI!
Në kohën kur BDI drejtonte institucionet shtetërore, në tregun maqedonas hyri MTEL, pjesë e Telekom Sërbi. Edhe ky është një rast tjetër që ngre pyetje për hapjen e hapësirës ndaj kapitalit shtetëror serb në vend.
4. BALLKANI I HAPUR – PROJEKTI I VUÇIQIT!
Ali Ahmeti ishte ndër përkrahësit më të zëshëm të projektit Ballkani i Hapur, të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, projekt të cilin Kosova vazhdimisht e kundërshtonte dhe e konsideronte të dëmshëm për interesat e saj.
5. TENDERI I DËSHTUAR I LOTARISË SHTETËRORE!
Në kohën kur Lotaria Shtetërore drejtohej nga një bashkëpunëtor i afërt i Artan Grubit, tenderi për lojërat e fatit online ishte orientuar drejt kompanive serbe dhe malazeze. Në vend të transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik, qytetarët u përballën me një tjetër kontroversë të lidhur me interesa afariste nga vendet fqinje.
6. TAKIMET ME FUNKSIONARËT SERBË!
Gjatë mandatit të Bujar Osmanit si ministër i Punëve të Jashtme, u realizuan takime të shumta me përfaqësues të institucioneve serbe. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë marrëveshjesh janë arritur dhe çfarë rezultatesh kanë prodhuar këto kontakte.
PYETJA ËSHTË E VETME DHE E QARTË: SA DËSHMI TË TJERA NEVOJITEN QË ALI AHMETI TË MARRË PËRGJEGJËSI?
Nga Alta Banka, te Daka Davidoviqi, MTEL-i, Ballkani i Hapur dhe tenderët e kontestuar, krijohet një pasqyrë e lidhjeve të vazhdueshme politike dhe afariste, të cilat meritojnë një verifikim të thelluar institucional dhe përgjegjësi politike.
Ali Ahmeti duhet të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të BDI-së dhe të tërhiqet nga politika. Ka ardhur koha që të mos e mbajë më peng partinë dhe të ardhmen e saj për interesa të veta politike.
U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të ndershëm të BDI-së, por edhe faktorëve politikë që vazhdojnë të bashkëpunojnë me këtë udhëheqësi, të distancohen nga këto politika dhe praktika.
Askush nuk duhet të bëhet bashkëpjesëmarrës në turpin që po i shkaktohet kauzës politike shqiptare dhe të ardhmes së shtetit.

